Maqedoni
Tetovë, filloi rikonstruimi i rrugës “Borsi Kidriq”
25.10.2024 16:48
Komuna e Tetovës ka nisur rikonstruimin e rrugës “Borsi Kidriq”....

Komuna e Tetovës ka nisur rikonstruimin e rrugës “Borsi Kidriq”. Sipas kreut të komunës, Bilall Kasami, ky projekt do të jetë vazhdimi i pedonales së qendrës së qytetit. Kasami tha se në këtë projekt përfshihen: rruga kryesore, shëtitore mes rrugës, gjelbërim dhe shteg për biçikletat. I gjithë projekti financohet nga komuna e Tetovës.
“Bëhet fjalë për një koncept të ri për rregullimin e rrugëve në qytetin e Tetovës, që i përshtatet edhe kësaj pjese të qytetit që është afër sheshit qendror. Është konceptuar që të jetë një vazhdimësi e pedonales së qendrës së qytetit. Bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm, i cili financohet nga buxheti i komunës se Tetovës dhe rruga është me një gjatësi 364 metra, gjerësia 25.5 metra. Bëhet fjalë për trotuare anësore dy nga dy metra dhe rruga do të jetë dy trase nga tre metra, gjelbërimi do të ketë dy nga 1.5 metra, shëtitorja do të jetë 4.5 metra dhe shtegu i biçikletave dy nga 1 metër.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami tha se projekti do të realizohet në dy faza dhe pritet të përfundojë për katër muaj nëse edhe kushtet klimatike do të jenë të mira. Kurse buxhetit të komunës, rikonstruimi i rrugës “Borsi Kidriq” do t’i kushtojë mbi 200 mijë euro.
VISAR SADIKI
