Botë

Cikloni Dana godet Indinë ndërsa qindra mijëra qytetarë të saj evakuohen

25.10.2024 19:13

Shiu i dendur dhe erërat e forta kanë goditur pjesë të Indisë lindore, ndërsa një stuhi tropikale...

Shiu i dendur dhe erërat e forta kanë goditur pjesë të Indisë lindore, ndërsa një stuhi tropikale goditi zonat bregdetare dhe ekipet e shpëtimit u përgatitën për ndikimin e saj.
 
Sipas Qendrës së Përbashkët të Paralajmërimit të Tajfunit (JTWC), cikloni tropikal Dana mbërriti në tokë përgjatë bregut verior të shtetit Odisha si ekuivalent i një stuhie tropikale në pellgun e Atlantikut me erëra prej 110 km/h.
 
Bëhet e ditur se Dana u përcoll nga reshje midis 50-150 milimetra në të gjithë Odishan dhe shtetin e Bengalit Perëndimor, me totalin më të lartë prej 160 mm të raportuar në qytetin Chandbali.
 
Përpara rënies në tokë, autoritetet evakuuan qindra mijëra njerëz, mbyllën shkollat ​​dhe anuluan fluturimet në disa pjesë të vendit, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
 
Ndërkohë, Departamenti Meteorologjik i Indisë (India MET) lëshoi ​​paralajmërimin për reshjet më të larta për pjesë të Odishas dhe Bengalit Perëndimor.
 
Autoritetet planifikonin të evakuonin më shumë se 1 milion njerëz nga 14 rrethe.
 
Ndryshe, brigjet lindore të Indisë kanë qenë prej kohësh të prirura ndaj cikloneve, por numri i stuhive intensive po rritet përgjatë bregdetit të vendit.
 
Viti i kaluar ishte sezoni më vdekjeprurës i cikloneve në Indi në vitet e fundit, duke vrarë 523 njerëz dhe duke kushtuar rreth 2.5 miliardë dollarë dëme.