Takimi Von Der Lejen –Osmani, Lejen: Duhet të punojmë që të hiqen masat

26.10.2024 18:05

Duhet të punohet edhe më shumë që BE-ja....

Duhet të punohet edhe më shumë që BE-ja, të heqë masat ndëshkuese që ka vendosur ndaj Kosovës, tha presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen, gjatë takimit në Prishtinë më presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Von der Lejen, përshëndeti vendimin e qeverisë për hapjen e kufirit për qarkullimin e mallrave serbë në pikëkalimin kufitar në Merdare.

“Duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime.” – tha Presidentja e Komisionit Evropian,  Ursula Von Der Leyen.

Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani , i quan të padrejta masat e BE-së ndaj Kosovës dhe konsideron se këto masa ndikojnë edhe në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku Kosova nuk është palë e barabartë në këto bisedime.

Ajo e quajti Sërbinë, satelit të Rusisë, e cila, sipas saj, ka për qëllim të destabilizojë jo vetëm Kosovën por të gjithë rajonin.

“Në Ballkanin Perëndimor një shtet vazhdon të jetë sateliti më i fortë i Rusisë në Evropë, ajo është Serbia. Është koha e fundit që vendosmëria që BE-ja ka treguar ndaj Rusisë, të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë. Kjo është e rëndësishme për sa i përket përgjegjësisë së Serbisë për aktin e agresionit ndaj Kosovës të kryer përmes forcave paramilitare dhe terroriste në shtator të vitit të kaluar, i cili sipas Shtëpisë së Bardhë kishte për qëllim të destabilizonte jo vetëm Kosovën por të gjithë Ballkanin Perendimor”. – deklaroi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Zyrtarja e lartë evropiane tha se gjatë mandatit të dytë në krye të KE-së, zgjerimi i BE-së do të mbetet top-prioritet i saj duke shfaqur dëshirën që në të ardhmen, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e bllokut evropian.

Von der Lejen përgëzoi Kosovën në punën që ka bërë në axhendën e reformave nga Plani i Rritjes i BE-së, duke thënë se deri para përfundimit të vitit, Kosova do të përfitojë 60 milionë Euro nga kjo paketë.

Osmani tha se ky plan do të ketë ndikim në zhvillimin socio-ekonomik, në hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe do të ndihmojë shtetin në rrugën drejt integrimit evropian. Lejen, ka zhvilluar takim edhe me Kryeministrin Albin Kurti. Lejen,qëndroi në Kosovë, në kuadër të turneut të saj ballkanik që e ka nisur në Shqipëri më 23 Tetor, ndërsa do të përufndojë në Mal të Zi. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)