Shoqata Akademike për Shkencë dhe Art, Kadriu: Të mos lejojmë të manipulojnë të tjerët me vlerat tona

27.10.2024 15:01

Pavarsisht mjeteve, ai thotë se motivi për Akademinë është i madh...

“Pa pas mjete nuk bëhen projekte”, kështu u shpreh sekretari organizativ i Shoqatës Akademike për Shkencë dhe Art, Zeqir Kadriu, sipas të cilit buxheti i paraparë nga komunat për këtë periudhë është simbolik.

Pavarsisht mjeteve, ai thotë se motivi për Akademinë është i madh dhe se përqendrimi do të jetë në vlerat kulturore dhe historike të shqiptarëve në vendin tonë.

“Ne do të aplikojmë si Akademi edhe në Ministrinë e Kulturës, do të aplikojmë edhe në konkurset tjera të cilat janë në përkrahje të aktiviteteve shkencore dhe në atë aspekt çdo gjë që e kemi planifikuar do mundohemi ta arrijmë. Plani ynë nuk është të bëjmë akademi vetëm pse na shkoj mendja të bëjmë akademinë, por qëllimi ynë është që ne të vazhdojmë të punojmë në vlerat tona kulturore dhe historike dhe si të tilla të mos lejojmë të manipulojnë të tjerët ashtu siç kanë manipuluar në të kaluarën. Ju e dini mirë edhe për enciklopedinë e cila u botua përpara ca vitesh nga Akademia e Shkencave të Maqedonisë e cila mohoi identitetin tonë kombëtar”. – tha Zeqir Kadriu, Sekretar Organizativ i Shoqatës Akademike për Shkencë dhe Art.

Kadriu: ASHAM është vonuar për shqiptarët

Sipas Kadriut, tanimë është vonë edhe në qoftë se ASHAM hap dyert për akademikët shqiptarë. Sipas tij, ASHAM gjatë gjithë kësaj periudhe ka punuar në mënyrë selektive, ka refuzuar shkenctarët shqiptarë dhe kjo është një ndër arsyet e themelimit të Shoqatës Akademike për Shkencë dhe Art.

Çdo veprim që do të bëj ASHM –ja tani e tutje është vonë. Ne kemi nisur rrugëtimin tonë për një Akademi Shkencore e cila do t’i ketë vlerat taman si një akademi siç janë në akademitë si motra në Tiranë dhe në Prishtinë, dhe në atë mënyrë e kemi konstitu programin dhe statutin, dhe kemi hapur konkurs për të pranuar anëtar të rinj, momentalisht funksionojmë 13 anëtar të cilët janë të rregullt, por me tendencë që të zgjerohemi edhe më tepër, në të gjithë hapsirën shqiptare në RMV dhe më gjërë për të pranuar edhe anëtar dhe bashkëpuntor të jashtëm”. – u shpreh Zeqir Kadriu.

Themelimi i Akademisë Shqiptare është premtim parazgjedhor i Koalicionit VLEN, i cili ka nxitur përplasje politike periudhën e fundit. Dy partitë më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë kundërshtuar këtë nismë.

BDI nuk pajtohet me interpretimin se duhet të jetë një organizatë joqeveritare që do të financohet vetëm nga komunat, duke marr parasysh buxhetin e tyre. 

Ato kërkojnë debat publik dhe vendimmarrje në nivel shtetëror.

Për shkak të kundërshtimit të kësaj nisme, katër krerë komunash të udhëhequra nga kuadro të koalicionit VLEN ranë dakord që të bashkëfinancojnë projektet e akademikëve shqiptar, si dhe të bëjnë pagesën e qerasë së lokalit ku është e vendosur Shoqata e Akademikëve shqiptarë.

Shoqata Akademike për Shkencë dhe Art është me seli në Tetovë, momentalisht do të financohet nga katër komuna, nga ajo e Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe e Çairit. Nga kjo shoqatë e cila pretendon të bëhet Akademi për Shqiptarët mbesin me shpresë se në të ardhmen e afërt do të financohen edhe nivel shtetëror. (Armend Murseli, TVM2)