Maqedoni
Plenumi i Nxënësve shpreh optimizëm: negociatat zhvillohen në kahje pozitive
28.04.2015 14:40
Përfaqësuesit e Plenumit të Nxënësve nga takimi i sotëm me ministrin e Arsimit, Abdylaqim Ademin dhe zëvendësin e tij, Spiro Ristovskin...

Përfaqësuesit e Plenumit të Nxënësve nga takimi i sotëm me ministrin e Arsimit, Abdylaqim Ademin dhe zëvendësin e tij, Spiro Ristovskin, dolën me optimizëm më të madh krahasuar me përshtypjen nga takimi i djeshëm.
Sipas tyre, marrëveshje definitive nuk ka, por Plenumi i Nxënësve pas takimit shpreson se do të arrihet kompromis nga i cili do të jenë të kënaqur të dyja palët.
Sipas tyre, ekziston mundësi që të kthehet koncepti i vjetër i maturës shtetërore dhe të ketë ndryshime në testimin ekstern.
“Nuk kemi deri më tani asçfarë premtimi. Duhet të realizojmë takim, i cili do të mbahet nesër, kur këto propozime që i diskutuam do të kalojnë në seancë të qeverisë. Nga takimi i sotëm na thanë se me siguri koncepti i vjetër i maturës shtetërore do të kthehet dhe do të bëhen ndryshime esenciale të testimit ekstern”- deklaroi Dejan Trajkovski nga Plenumi i Nxënësve.
“Jemi optimistë pas takimit të sotëm, besojmë se do të hasim në kuptim nga MASh-i. Edhe sot ne shprehëm qëndrimet tona dhe diskutuam për to dhe tani për tani presim në përfundim pozitiv. Për informata më të detajuara do t’u informojmë ne gjatë ditës së nesërme”- tha Aleksandar Mitevski nga Plenumi i Nxënësve.
Sipas Plenumit të Nxënësve, bojkoti i mësimit do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Në shenjë proteste, nxënësit e shkollave të mesme dje kaluan natën në tenda, që janë të vendosura para MASh-it.
FLUTURA LATIFI
