Botë
Egjipti propozon armëpushim dyditor në Gazë
28.10.2024 09:44
Presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, ka propozuar një armëpushim dyditor në Gazë dhe këmbim të limituar të pengjeve...

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, ka propozuar një armëpushim dyditor në Gazë dhe këmbim të limituar të pengjeve, me qëllim të sigurimit të “një armëpushimi të plotë”, pas më shumë se një viti të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Propozimi i bërë të dielën parasheh këmbimin e katër pengjeve izraelite që mbahen në Gazë, për të burgosur palestinezë në burgjet izraelite dhe që më pas të zhvillohen negociata tjera në 10 ditët në vijim, ka thënë Sisi në një konferencë për media në Kajro. Intervenimi i Sisit ka ardhur teksa Izraeli vazhdon të godasë territorin palestinez, si dhe lufton kundër Hezbollahut në Liban. Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.
Izraeli, po ashtu, ka nisur të shtunën sulme ajrore kundër armikut të përbetuar, Iranit. Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i ka thënë kabinetit të tij se Irani nuk dëshiron luftë, por do të nisë një “përgjigje të duhur”. Nga ofensiva izraelite në Gazë janë vrarë mbi 42.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
