Botë

Raporti i progresit, Kosovës e Serbisë u kërkohet zbatimi i MO-së

28.10.2024 13:28

Komisioni Evropian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që pa vonesa të ndërmarrin hapa në zbatimin e Marrëveshjes...

Komisioni Evropian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që pa vonesa të ndërmarrin hapa në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, përkatësisht Marrëveshjen e Ohrit. Një kërkesë e tillë do të jetë pjesë e draft e Raporteve të Progresit për Kosovën dhe për Serbinë, që do të miratohen në Bruksel më 30 tetor. Në raport po ashtu Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që t’i evitojnë veprimet dhe retorikën nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin mes dy vendeve. Në këtë kontekst përmenden, mungesa e hapave konkret nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë të sulmit terrorist në Banjskë të Veriut të Kosovës, por edhe mungesa e hapave konkretë nga Kosova për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 
 
“Procesi i normalizimit vazhdon të ndikohet nga mungesa e hapave të mjaftueshëm nga ana e Serbisë për të siguruar përgjegjësi dhe për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet e dhunshme nga serbët e armatosur të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator 2023, në Banjskë, që ishin përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit.”, thuhet në këtë draft-raportin e progresit. 
 
Sa i përket kërkesës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe kërkohet që si bazë për këtë të jetë draft-statuti i propozuar nga disa vende evropiane, i cili u është dorëzuar palëve në tetor të vitit 2023. “Ky propozim është i bazuar në shembujt më të mirë evropianë dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.”, thuhet në draft raport. Obligimet për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve janë pjesë formale e kornizës negociuese të Serbisë për anëtarësim në BE, në kapitullin 35, thuhet në draft raportin e progresit për Serbinë.
 
GYLTENE SINANI