Maqedoni
Ahmeti, letër kryeministrit: Rrezikohet kohezioni dhe ardhmëria e shtetit
28.10.2024 14:24
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i ka adresuar letër zyrtare kryeministrit, Hristijan Mickoski...

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i ka adresuar letër zyrtare kryeministrit, Hristijan Mickoski. Në të Ahmeti ka shfaqur shqetësimet e tij, sa i takon vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ahmeti thekson se vendimet për heqjen e mekanizmave mbrojtës për komunitetet dhe ndryshimet në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve janë shumë të rrezikshëm për përparimin dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë. Ahmeti fton për bashkëpunim dhe dialog të ndërsjellë.
“Vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat duket se janë ekzekutim i programit të partisë suaj për të shfuqizuar mekanizmat kyç për mbrojtjen e komuniteteve, kanë shkaktuar shqetësim tek të gjithë qytetarët. Vendimet për të rishikuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili është element kyç i Marrëveshjes së Ohrit, janë të dëmshme për përparimin dhe bashkëpunimin mes komuniteteve. Ju bëj thirrje të reflektoni për këto vendime që kanë potencial të dëmtojnë kohezionin shumetnik në Maqedoninë e Veriut. Çdo hap që prish këto themele është i dëmshëm për të ardhmen e vendit tonë.”, thuhet mes tjerash në letrën e Ahmetit adresuar Mickoskit.
Mickoski: Nuk kam pranuar letër
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk ka pranuar letrën, por që të njëjtën do ta shqyrtojë me kujdes.
“Jo, nuk e kam marrë. Kur ta marrë do ta komentoj. Përndryshe unë për çdo ditë marr letra dhe i lexoj. Me shumë vëmendje i qasem komunikimit me qytetarët. Zotëri Ahmeti është qytetar dhe duhet t’i kushtohet vëmendje çdo qytetari dhe letre që vjen. Normalisht, kështu vepron një qeveri e përgjegjshme.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mexhiti nuk komenton veprimin e Ahmetit
Ndërkaq zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, duke mos dashur të komentojë veprimin e Ahmetit, shprehet se po merren me punë konkrete.
“Sot nuk jemi për letra, nuk jemi për muhabete. Sot jemi këtu për punë konkrete.”, - theksoi zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ditë më parë u ka dërguar letër edhe drejtuesve të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtarë për siç bën të ditur, mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe stabilitetin dhe harmoninë ndëretnike që marrëveshja kornizë ka ndërtuar.
MERAL ISMAILI
