Maqedoni
Korridori 8 mbikëqyret nga ekzekutivi, Mickoski: Është prioritet i yni, vazhdojmë me punimet
28.10.2024 15:05
Krerët e shtetit mbikëqyrën punimet e Korridorit 8...

Kryeministri Hristijan Mickoski, së bashku me zëvendëskryeministrin, Izet Mexhiti, dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikollovski, mbikëqyrën punimet e Korridorit 8, që kapin rajonin e Gostivarit. Kjo është një ëndërr për ne, tha kryeministri Mickoski, i cili zotohet në përkushtimin ekzekutiv për realizimin e plotë të korridorit. Vetëm në 4 muajt e fundit është punuar trefish më shumë se 2 vitet paraprake, tha ai.
“Pas dy viteve premtim dhe muhabeteve boshe, sot përfundimisht mund të shihet diçka që duhet të paraqesë pjesë të ëndrrës që e kemi si Qeveri, ndërsa ajo është se si shteti ynë të jetë nikoqir i tre kryqëzimeve: transportuese, hekurudhore dhe energjetike. Kjo është ëndrra jonë, ëndrra ime personale dhe do të bëj çmos që të bëj gjithçka si kryetar i Qeverisë, që kjo të bëhet realitet.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mexhiti: U mbyll tema politike e këtij projekti madhor
Me vëzhgimin e sotëm mbyllet tema e Korridorit 8 si temë politike, tha zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
“Shohim punimet e para që kanë dalë në sipërfaqe dhe mendoj se me sot mbyllet tema e Korridorit 8 si temë politike. Korridori 8 është prioritet mbi prioritetet për zhvillimin e vendit, për zhvillimin ekonomik dhe nuk kam aspak dilemë se me “Behtel – Enka” do të jemi dëshmitarë në javët që vijnë në realizimet e reja drejt realizimit të projektit.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Nikollovski: Destinacionet, me më pak orë udhëtim
Ministri i Transportit, Nikollovski, paraqet përfitimet e qytetarëve për shkak të shkurtimit të rrugës që i mundëson Korridori 8.
“Nga kryeqendra e vendit për në Ohër dhe Strugë do të arrihet për 1 orë e gjysmë, e cila në tërësi do ta ndryshojë funksionimin e ekonomisë, turizmit, do ta përshpejtojë zhvillimin ekonomik, do të thotë, ndërlidhje më e madhe për të gjithë.”, - u shpreh ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.
Ageler: Fitues qytetarët, rrit investimet e huaja
Për ambasadoren e ShBA-së, projekti do të jetë një vlerësim për thithjen e investimeve të tjera.
“Kjo është në të mirë të qytetarëve. Do t’ju ndihmojë në tregti, në investime. Edhe për kompanitë e tjera, përshirë kompanitë e mëdha amerikane, ky projekt do të jetë evidencë që atyre u nevojitet dhe të kuptojnë se investimet në këtë vend krijojnë sens.”, - deklaroi ambasadorja e ShBA-së, Angela Ageler.
LSDM: Marrëveshja me “Behtel dhe Enka”, dje – krim, sot – super
Ndërkohë vjen reagimi nga opozita maqedonase. LSDM-ja përkujton VMRO-në se para ardhjes në pushtet për retorikën ku ka thënë se marrëveshja me “Behtel dhe Enka” është një krim historik.
“Erdhi në pushtet, u ul në karrigen e kryeministrit dhe Mickoski menjëherë e ndërroi kahjen. Përnjëherë gjithçka është ndryshe, gjithçka superiore. Mickoski dhe Nikollovski prej sot lavdërohen me të njëjtin projekt nga marrëveshja me “Behtel dhe Enka”.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
BDI: Projekti ynë u konfirmua si i drejtë
E për BDI-në, Korridori 8 dëshmoi dhe konfirmoi vizionin e këtij subjekti politik.
“Korridori 8, edhe pse mban vulën e BDI-së, i takon të gjithë qytetarëve dhe apelojmë që tuneli nga Gostivari deri në Bukojçan të realizohet, sepse është opsioni më i mirë dhe më racional për këtë pjesë të korridorit.”, - thuhet në komunikatën e BDI-së.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
