Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, letrat që lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ua ka dërguar disa përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe krerëve të shtetit, si dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, në të cilin shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, i cilëson si populizëm politik. Minçevi thotë se po vijnë në një kohë kur i gjithë opinioni po dëshmon shpërbërjen e koalicionit “Fronti Evropian” të udhëhequr nga BDI-ja. Kur është fjala për “balancuesin”, ministri i Administratës Publike përsërit se përfaqësues të BDI-së si pjesë e Qeverisë së kaluar kanë konfirmuar se mjeti për punësim në administratën publike sipas çelësit etnik është keqpërdorur dhe duhet shfuqizuar.
“Edhe Qeveria e kaluar, përkatësisht përfaqësuesit e BDI-së që ishin në Qeverinë e kaluar në kuadër të strategjisë nacionale nga viti 2023 deri në vitin 2030 për reformat në administratën publike, kishin marrë një vendim, konfirmuan se “balancuesi” ishte objekt abuzimi dhe se ai duhej shfuqizuar. Dhe nga ky aspekt, unë them se ky është një populizëm politik dhe para së gjithash i referohet asaj që po ndodh tani në BDI, e që është, siç e shohim dhe e dëshmon i gjithë opinioni, shpërbërja e të ashtuquajturit koalicioni "Fronti Evropian".”, - deklaroi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
I pyetur për Ligjin për përfaqësim të drejtë, Minçevi potencon se ka dy zgjidhje ligjore, të miratohet si pjesë e ligjeve për të cilat po debatohet dhe mund të realizohet me hartimin e ligjit të ri për përfaqësim të drejtë të bashkësive etnike që do të shqyrtohet në Kuvend.
“E kam përsëritur disa herë deri më tani që një zgjidhje e tillë ligjore nuk duhet të nxitohet. Ashtu siç po bëjmë tani me këto tre zgjidhje ligjore të propozuara, i përfshijmë të gjithë, veçanërisht ata që janë nga publiku akademik dhe ekspert, kështu duhet të jetë edhe me këtë zgjidhje ligjore. Ende nuk kam parë një draft version nga partnerët tanë të koalicionit, por shpresoj dhe e di, jam i bindur dhe i sigurt se Qeveria ka kapacitetin politik për të gjetur një zgjidhje ligjore që përfundimisht do t'i dërgohet Komisionit të Venecias.”, - theksoi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
Grupi punues për përfaqësim të drejtë, Snopçe demanton Minçevin
Minçevi shtoi se ende nuk është formuar grup punues për përgatitjen e Ligjit për përfaqësim të drejtë në ministrinë që ai drejton, duke përsëritur se është i sigurt se Qeveria ka kapacitet dhe mundësi politike për të arritur një zgjidhje serioze, sistematike dhe cilësore. Por, Halil Snopçe nga VLEN-i demanton Minçevin dhe thotë se grup i tillë i punës ekziston dhe përbëhet nga përfaqësues të koalicionit VLEN, VMRO-DPMNE-së dhe Lëvizjes “E di”.
“Në kuadër të kësaj ka grup punues, unë nuk e kam dëgjuar deklaratën e ministrit, unë e di se vet ministri është anëtar i atij grupit punues. Jo vetëm që ka grup punues nga përfaqësues të VLEN-it, VMRO-së dhe Lëvizjes “E di” dhe nga “E di” është pikërisht ministri Minçev dhe ky grup punues ka bërë dy takime dhe është në fazën e hekurosjes së të gjitha qëndrimeve. Ne nuk përjashtojmë draft versionin, por thamë se do të ketë një ligj krejtësisht të ri.”, - theksoi Halil Snopçe nga VLEN.
Edhe pse Minçevi dhe Snopçe nuk kanë qëndrim të njëjtë në lidhje me atë se a ekziston grup i tillë, megjithatë pajtohen se përfaqësimi i drejtë është kategori kushtetuese.
FLUTURA LATIFI