Bullgari, GERB-i fiton zgjedhjet
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari...

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari përfunduan me më shumë vota për partinë GERB të ish-kryeministrit, Bojko Borisov, por vota këto që s’janë të mjaftueshme për të formuar një qeveri më vete.
Partia e Borisovit fitoi gati 10 për qind më shumë se "Vazhdojmë me ndryshime" dhe e djathta "Bullgaria Demokratike".
Lideri i GERB-it, Bojko Borisov, tha se partia e tij do të formojë qeverinë e re dhe se do të punojë me të gjitha partitë që do ta mbështesin programin e tyre.
“Programi ynë, të cilin ne e kemi shpjeguar dhe për të cilin populli ka votuar dhe ne kemi shpjeguar se si do ta zbatojmë, do të jetë thelbësor për të gjithë ata që duan të formojnë një qeveri. Unë do të qeveris me këdo që e mbështet programin tonë.”, - deklaroi kryetari i GERB-it, Bojko Borisov.
Partia GERB fitoi 26 për qind të votave, e ndjekur më pas nga Partia Reformuese “Vazhdo me ndryshimet”, e cila doli në vendin e dytë me 14.76 për qind, ndërsa në vendin e tretë u rendit Partia Ultranacionaliste pro-ruse “Rilindja” me 13.8 për qind. Qytetarët e Bullgarisë zgjodhën dje 240 deputetë nga gjithsej 9 parti politike.
Shteti bullgar për vetëm 4 vite ka organizuar 7 cikle zgjedhore. Prej tyre, 6 ishin zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Zgjedhjet në Bullgari janë veçanërisht të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut. (Sanije Duraku, TVM2)
