Projekt ekologjik në Çair “Le të jetë pastër, së bashku për Çairin”
Me moton “Le të jetë pastër, së bashku për Çairin”, kanë filluar aktivitetet e Komunës së Çairit dhe “Higjienën komunale”, të cilët kanë angazhuar mbi 100 punëtorë të bëjnë pastrimin gjeneral të Çairit...

“Ne rastësisht jemi sot në rrugën Ferid Murati. Këtu e promovojmë këtë aktivitet, ku kemi një pastrim gjeneral nga punëtorët e “Higjienës komunale” dhe të Komunës së Çairit dhe në të njëjtën kohë pastrohen edhe rrugët e tjera të Çairit. Ky pastrim bëhet në tërë territorin e Komunës së Çairit, duke përfshirë rrugët kryesore, lokale dhe banesore në kuadër të Çairit”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Sot punonjësit e higjienës së bashku me punëtorët sezonal të Komunës së Çairit do të bëjnë pastrimin gjeneral. Në aktivitetet e ardhshme planifikojmë në territorin e Komunës së Çairit të ndërtojmë tre lokacione me kontejnerë nëntokësorë. Në një lokacion do të vendosen nga tre kontejnerë të tillë, një kontejnerë i tillë zëvendëson tre kontejnerë klasik, të cilët ne i shohim në rrugët e Komunës së Çairit”- tha drejtori i “Higjienës komunale”, Rakip Doçi.
Po ashtu, është paralajmëruar se në Komunën e Çairit do të bëhet zëvendësimi i 100 kontejnerëve metalik me kontejnerë prej plastike. Kontejnerët, siç thonë nga “Higjiena komunale”, do të jenë të dizajnuar bukur dhe të mbyllur mirë, që mbeturinat të mos shihen dhe mos të përhapet era e pakëndshme. Njëherit u apelua tek qytetarët që bashkërisht të kontribuohet për ambient të pastër. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
