Komisioni i shëndetësisë në Kuvend, debat për kancerin e gjirit
Komisioni i shëndetësisë në Kuvend...

Komisioni i shëndetësisë në Kuvend mbajti debat për ndërgjegjësimin e luftës kundër kancerit të gjirit, promovimin, detektimin e hershëm, trajtimin, edukimin, si dhe mbështetjen për pacientët e diagnostikuar.
“Edhe Kuvendi i RMV-së është i përfshirë në ngritjen e vetëdijes për ndjekjen dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje që duhet të bëhet në dy mënyra. E para është që nëpërmjet kësaj ngjarje të bëjmë thirrje që të gjitha gratë të kryejnë kontrolle të rregullta mamografike, në mënyrë që të mund të reagojnë në kohë dhe e dyta është të shohim nëse sistemi ynë shëndetësor është gati për të trajtuar këtë problem.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
“Komisioni shëndetësor i Kuvendit ka iniciuar bashkëpunim ndërinstitucional për diagnozat më të shpeshta të tumoreve malinjë, do të bashkëpunojmë me të gjitha drejtimet përkatëse në pjesën e prevenimit, diagnostikimit dhe terapisë. Do të gjejmë zgjidhje bashkërisht.”, - theksoi kryetarja e Komisionit të shëndetësisë në Kuvend.
“Inkurajojmë Qeverinë dhe Parlamentin. Ju inkurajojmë që të përforconi bashkëpunimin me organizatat donatore, me qëllim që të gjenden mundësi shtesë për përmirësimin e kapacitetit kombëtar për skrining programe dhe trajtim që do ta përfshijnë secilin komunitet.”, - u shpreh përfaqësuesja e OBSh-së, Margarita Spasenovska.
“Do të apeloj për mobilizim të të gjitha burimeve në rritjen e numrit të termineve për diagnostikim, rritje të përgjegjësisë së institucioneve dhe decentralizim, si dhe organizim më i strukturuar i qendrave rajonale onkologjike, qasje multidiciplinare dhe ndërtim i një strategjie të qëndrueshme me zgjidhje konkrete sistemore për ofrim të kujdesit shëndetësor me cilësi evropiane për qytetarët tanë.”, - theksoi kryetarja e Shoqatës “Ezra”, Liridona Beqiri.
Sipas studimit kombëtar për situatën me kancerin e gjirit për periudhën 2015-2022 të Institutit të Epidemiologjisë, çdo vit në vendin tonë evidentohen mbi një mijë gra të reja të diagnostikuara me kancer gjiri dhe rreth dyqind e pesëdhjetë jetë të humbura çdo vit nga kjo sëmundje. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
