BNjLV-ja diskuton problemet e Strumicës dhe Karposhit
Kryetari i komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov...

Kryetari i komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov, nuk erdhi në mbledhjen e sotme të Bashkësisë së Njësive për Vetëqeverisje Lokale në të cilën duhej të bisedohej rreth kërkesës së tij dhe të kryetarit të komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, për t’u larguar nga BNjLV-ja.
Sipas informacioneve, Kostadinovi nuk dëshiron të diskutojë rreth kërkesës së tij, pasi që vendimi i tij është përfundimtar për t’u larguar dhe nuk sheh arsye për të diskutuar më tej, ndërsa Jakimovski mori pjesë.
Kryetari dhe nënkryetari i BNjLV-së, Orce Gjorgjievski, dhe Visar Ganiu konsiderojnë se vendimet e të dy kryetarëve është për t’u paraqitur probleme artificiale.
Andaj ata u bëjnë thirrje që të reflektojnë dhe të tërheqin vendimin për të mirën e qytetarëve.
“Jam habitur negativisht nga mosprezenca e Kostadinovit dhe shpresoj se në ditët në vijim në një mënyrë civilizuese do të kemi hapësirë për të diskutuar me të. Sa i përket kërkesës së Jakimovskit, ajo nuk është e lidhur me BNjLV-në, që do të thotë se për këtë çështje të formojmë grup pune e përbërë nga unë, Pero Kostadinov, Visar Ganiu dhe Dushica, ku deri në fund të kësaj jave do të thërrasim një mbledhje për ndërmjetësim mes dy ministrive, të cilat u apostrofuan nga Jakimovski dhe do të tentojmë të gjejmë zgjidhje.”, - deklaroi kryetari i BNjLV-së, Orce Gjorgjievski.
“Morëm përsipër që të bëjmë takimin që zotëri Jakimovski të takohet me ministrat në fjalë. Gjithashtu mungoi kryetari i Strumicës dhe me atë e dimë ku qëndron problemi, për shkak se ka pasur disa herë deklarata, andaj mendojmë se ai nuk duhet t’i ikë takimeve, duhet të takohet me neve që ne këtu të bëjmë një lloj lehtësimi dhe të gjejmë zgjidhje.”, - theksoi nënkryetari i BNjLV-së, Visar Ganiu.
Kryetari i komunës së Karposhit, Stefço Jakimovski, i cili paralajmëroi se do të largohet nga BNjLV-ja nëse nuk përmirësohet komunikimi dhe nuk ndalen presionet e disa ministrave, përshëndet këtë iniciativë dhe shpreson se do të tejkalohen mosmarrëveshjet për të mbetur ai në BNjLV.
“Ministër, kryetar apo cili do bartës tjetër të ndonjë funksioni publik, BNjLV-ja duhet të marrë qëndrim dhe t’i parandalojë dhe gjykojë të gjitha komunikimet jokorrekte. Më vjen mirë që kolegët pranuan të bisedojmë me përfaqësuesit e ministrive për ta korrigjuar komunikimin e tyre me mua.”, - u shpreh kryetari i komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski.
Por, për t’u larguar nga BNjLV-ja nuk është aq e lehtë, rikujton Gjorgjievski. Sipas procedurave, për t’u larguar ndonjë komunë nga BNjLV-ja, fillimisht në formë zyrtare duhet kërkesa t’i dorëzohet BNjLV-së, më pas të informohen të gjithë këshilltarët dhe qytetarët e këtyre komunave dhe më pas të miratohet vendim në BNjLV.
Kostadinovi tha se largohet prej BNjLV-së për shkak të qëndrimit indiferent që ka kjo organizatë ndaj problemit të ujit të pijshëm në Strumicë. (Rexhep Qamili, TVM2)
