Kapiteni i FC Struga, Shabani i bashkohet grupit, ja kur pritet të jetë i gatshëm për ndeshje
Lajm i mirë nga infermeria e Struga Trim Lum....
Lajm i mirë nga infermeria e Struga Trim Lum. Pas gati dy muajsh skuadrës kampione në stërvitje i është bashkuar kapiteni Bunjamin Shabani, i cili pas një dëmtimi të pësuar në ndeshjen e 31 gushtit kundër AP Brera këtu në Strugë, iu desht që ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në supin e djathtë.
Kapiteni i Struga Trim Lum kishte dëmtuar klavikulën në atë ndeshje të javës së katërt, ndërsa mungesa e tij në ndeshjet e zhvilluara deri më tani, ishte e dukshme.
Pas stërvitjeve të lehta në palestër, e ku në fokus ishte krahërori i tij, tashmë i njëjti ka filluar stërvitjet edhe në ambient të hapur.
“Gjithsesi se më ka munguar fusha e futbollit gjatë këtyre javëve të kaluara, mirëpo vërtetë dëmtimi ishte më i rëndë se sa e kishim parashikuar, ashtu që është dashur të bëhet një trajtim shumë i mirë dhe i kujdesshëm, si nga ana ime, ashtu edhe nga ana e mjekëve të skuadrës dhe trajnerit përgjegjës për fitnes. Tashmë kur kaluam me sukses këtë pjesë, me rekomandim edhe të mjekut që kishte kryer intervenimin kirurgjik, kam filluar të stërvitem individualisht edhe në fushë. Fillimisht kam filluar me vrapime të lehta, javën që vjen do të filloj të kem kontakte edhe me topin, duke filluar me pasime, për të arritur më pas edhe stërvitjen me shokët e skuadrës” – është shprehur Bunjamin Shabani për faqen zyrtare të skuadrës.
Rikthimi i tij në fushat e futbollit, nëse gjithçka shkon sipas planit nga tabori i Struga Trim Lum, shkruajnë se pritet të ndodh pas ndeshjeve ndërkombëtare të përfaqësueses së Maqedonisë.
Shabani këtë edicion ka zhvilluar vetëm 8 ndeshje, 4 prej tyre në kampionat dhe 4 në ndeshjet europiane, aty ku kontribuoi me dy asistime.
Ndryshe me fanellën e Struga Trim Lum, numëron plotë 139 paraqitje, pa përfshirë këtu edhe ndeshjet e Kupës.