Botë
Protestë e opozitës në Tiranë
29.10.2024 11:41
Opozita do të mbajë aktin e radhës së të ashtuquajturës mosbindje civile...

Opozita do të mbajë aktin e radhës së të ashtuquajturës mosbindje civile kundër Qeverisë së kryeministrit Rama dhe kërkesës së saj që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me një kabinet teknik.
Në kryeqytet, protestuesit do të bllokojnë mbikalimin e Kthesës së Kamzës, në hyrje të Tiranës. Teksa do të ketë bllokime dhe në rrethrrotullimet në Milot, Shkozet, Bradashesh, Rrogozhinë dhe Levan.
“Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.”, njofton Policia.
Kreu i demokratëve, në protestën e tij të radhës nga dritarja e shtëpisë iu kërkoi shqiptarëve të ngrihen në këmbë për të shprehur zemërimin e tyre ndaj Qeverisë. Për mbarëvajtjen e tubimit, të shpërndarë në disa qytete njëkohësisht, do të angazhohen rreth 1.200 forca policore.
