Efikasiteti në komuna, Strumica me efikasitet më të lartë
Komuna e qytetit të Strumicës udhëheq me listën e komunave të tjera për sa i përket nivelit të efikasitetit të vetëqeverisjes lokale në vend...

Sipas hulumtimeve, komuna më e paorganizuar është Komuna e Zelenikovës, ndërsa kampione nga komunat rurale është rezultuar Komuna e Bogdancit.
Sipas hulumtimit, 11 komuna në vend nuk i kanë plotësuar as kushtet minimale që dalin nga Ligji për Qeverisja Lokale dhe për këtë arsye këto komuna nuk kanë qenë pjesë e projektit. Sipas vlerësimeve, gjithashtu nuk ekziston asnjë komunë në Maqedoni e cila 100% në mënyrë optimale i shfrytëzon mjetet financiare dhe që zbaton praktika për qeverisje të mirë.
“Nga komunat që kemi përfshirë në hulumtim, e para rezulton Komuna e Strumicës, mandej Qyteti i Shkupit, Velesi, Ilindeni, Komuna e qytetit të Ohrit, Manastiri, Karposhi, Bogdanci, Radovishi, Shtipi e me radhë. Sipas rezultateve, nuk kemi gjetur asnjë komunë efektive dhe efikase në maksimum”- deklaroi koordinatori i projektit, Aleksandar Cekov.
“Kemi shfrytëzuar 74 indikatorë të cilët kanë qenë të ndarë në katër dimensione dhe kanë matur realitetin se si komunat i zbatojnë në praktikë principet e qeverisjes së mirë, si: transparencën, përgjegjësinë, raportin, pjesëmarrjen, efikasitetin dhe efektivitetin”- tha drejtuesja e projektit, Marija Risteska.
Ky rezultat është shpalosur nga Instituti për Hulumtimin dhe Krijimin e Politikave, e realizuar në bashkëpunim me komunat e vendit, ku si model është shfrytëzuar projekti i Kroacisë, Lotos. Rezultati i sotëm ishte i pari publikim sistematik në kuadër të projektit “Këmbime të praktikave më të mira të BE-së për ndjekjen e korrupsionit në nivel lokal”. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
