Botë
Zelenski në Islandë, bisedime rreth “Planit të fitores”
29.10.2024 12:01
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka mbërritur në Islandë për të marrë pjesë në një samit...

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka mbërritur në Islandë për të marrë pjesë në një samit me liderët e vendeve nordike. Zelenski do të marrë pjesë në samitin e katërt mes Ukrainës dhe Evropës Veriore, si dhe do të mbajnë takime me kryeministrat e Islandës, Danimarkës, Norvegjisë, Finlandës dhe Suedisë.
“Bisedimet do t’i përqendrojmë në mbështetjen për “Planin e fitores” dhe fushat ku bashkëpunimi ynë mund të prodhojë rezultate maksimale: financimi i prodhimit të armëve ukrainase dhe armëve me rreze të gjata veprimi; përgatitjet për dimër; sigurinë detare; masat ndaj flotës ruse, si dhe përkrahje për mbrojtjen e Ukrainës dhe për stërvitje dhe pajisje për ushtarët ukrainas.”, tha Zelenski.
Në fillim të këtij muaji, Zelenski e shpalosi para liderëve perëndimorë “Planin e fitores” së Kievit, përmes të cilit shpreson se do ta detyrojë Rusinë t’i japë fund pushtimit të Ukrainës përmes bisedimeve. Ky plan është duke u shqyrtuar nga partnerët perëndimorë të Ukrainës, mbështetja nga të cilët ka qenë jetike për përpjekjet e Kievit për t’i bërë ballë fqinjit të vet të madh.
Një pikë kyçe në plan është kërkesa për ftesë formale për Ukrainën për t’u bërë anëtare e NATO-s, të cilën mbështetësit perëndimorë kanë ngurruar ta shqyrtojnë pa përfunduar lufta.
