Botë

Debat i ashpër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Irani dhe Izraeli me akuza të ndërsjella

29.10.2024 14:00

Debat i ashpër në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Irani dhe Izraeli akuzojnë njëri-tjetrin...

Debat i ashpër në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Irani dhe Izraeli akuzojnë njëri-tjetrin për konfliktin rajonal. Debati vjen pasi një numër avionësh izraelitë kryen sulme të shtunën në vende pranë Teheranit dhe në Iranin perëndimor.
 
“Shkëmbimi i fundit i zjarrit midis Izraelit dhe Iranit rrezikon ta zhysë rajonin në të panjohurën në një kohë kur ne kemi nevojë urgjente për de-përshkallëzimin në të gjitha frontet.”, - deklaroi sekretari i Përgjithshëm për Lindjen e Mesme, Kaled Kiari. 
 
“Udhëheqësit e Iranit zgjodhën të sulmojnë Izraelin për të destabilizuar rajonin dhe për të shkaktuar kaos. Ata na premtuan shkatërrim, ne u përgjigjëm me forcë.”, - theksoi ambasadori i Izraelit në OKB, Dani Danon. 
 
“Ne dënojmë fuqishëm agresionin izraelit. Veprimet armiqësore të Izraelit janë një shkelje e dukshme dhe e rrezikshme e së drejtës ndërkombëtare dhe kartës së OKB-së.”, - u shpreh ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saed Iravani. 
 
Ndërkohë, ligjvënësit izraelitë miratuan një ligj që ndalon punën e UNRËA, agjencia kryesore që ofron ndihmë për popullin e Gazës. Komuniteti ndërkombëtar e dënoi veprimin e Tel Avivit.
 
“Cilido që vepron si terrorist nuk ka të drejtë të ekzistojë në shtetin e Izraelit. UNRËA nuk është një agjenci e ndihmës për refugjatët. Është një agjenci ndihme për Hamasin.”, - theksoi sponsori i ligjit likud, Boaz Bismuth.
 
Sulmet izraelite janë regjistruar si në Gazë ashtu edhe në Liban. Raketat e lëshuara nga Hezbollahu u ulën në veri të Izraelit. Protestat vazhduan në Jerusalem për një armëpushim dhe kthimin e pengjeve.
 
FLUTURA LATIFI