Maqedoni

Letra e Ahmetit, Mickoski: Kërkon të ndikoj te gjykatësit

29.10.2024 14:16

Kryeministri Hristijan Mickoski e ka pranuar dhe e ka lexuar letrën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti...

Kryeministri Hristijan Mickoski e ka pranuar dhe e ka lexuar letrën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, përmes së cilës ai kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe që Qeveria të mos ndikojë në prishjen e bashkëjetesës ndëretnike në vend. Mickoski theksoi se letra e Ahmetit ka qasje gjeostrategjike, por edhe kërkesë që ai të ndërhyjë në punën e gjykatësve kushtetues. Sipas Mickoskit, gjykatësit aktual janë zgjedhur me votat e LSDM-së dhe BDI-së, ndërsa thekson se nuk ka ndërmend të komunikojë me gjykatësit.
 
“Nuk e kisha ditur se këto gjykatës të zgjedhur nga LSDM-ja dhe BDI-ja zbatojnë programin e VMRO-DPMNE-së. Se është i shqetësuar për lëndën që lidhet me ligjin e gjuhëve dhe të intervenoj unë te gjykatësit kushtetues të zgjedhur nga LSDM-ja dhe BDI-ja, që të kenë kujdes se çfarë bëjnë, sepse mund ta destabilizojnë shtetin. Le të vlerësojë opinioni nëse kjo meriton koment. Ka kaluar koha kur politikanët kanë mundur dhe kanë dashur të ndikojnë në vendimet e gjykatësve dhe prokurorëve. Unë e kuptoj se BDI-ja është akoma në atë perimetër dhe përmes asaj optike që shikojnë ata, mendojnë se duhet të funksionojmë edhe ne në shtet. Unë nuk mendoj ashtu. As në mendje nuk më shkon çfarëdo komunikimi, veçanërisht me gjykatësit kushtetues ose cilitdo gjykatës dhe prokuror të zgjedhur nga shumica LSDM-BDI.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Bekteshi: Anulimi i balancuesit u miratua me mbivotim
 
Ish-ministri i BDI-së, Kreshnik Bekteshi, në emisionin "360" theksoi se në letrën e liderit të tij nuk sheh kërcënime. Ai theksoi se me anulimin e mekanizimit të balancuesit, qytetarëve iu pamundësua të deklarohen për përkatësinë e tyre etnike.
 
“Tensione dhe destabilizime të tilla të cilat u paralajmëruan nga kryeministri Hristijan Mickoski janë vetëm në kokën e tij dhe kokën e personave të caktuar të tyre, me qëllim të pamundësisë për të realizuar programin e tyre dhe atë që iu premtua qytetarëve ta defokusojnë opinionin. Në pjesën e anulimit të deklarimit të përkatësisë etnike, e cila në mënyrë indirekte e anulon balancuesin është miratuar me mbivotim.”, - theksoi ish-ministri i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.
 
Një letër mbi këto shqetësime lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit të Gjuhëve, kreu i BDI-së ia ka dërguar më herët edhe kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë në Kosovë, Evropë dhe ShBA.
 
FLORIJE KAMBERI