S’ka as rritje e as ulje pagash për zyrtarët, Mickoski: Korrigjim përmes koeficienteve

29.10.2024 14:54

Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski...

Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se nuk do të ketë rritje të pagave të funksionarëve ka tërhequr reagime edhe nga LSDM-ja opozitare. Mickoski një deklaratë të tillë e kishte përsëritur edhe ditëve në vazhdim se me propozim buxhetin e ri të Qeverisë nuk parashihen rritje të pagave të funksionarëve, por vetëm të pjesës së administratës.

Këtë Mickoski e theksoi edhe sot gjatë një ngjarje ekonomike.

“Një gjë është e sigurt, e ajo është se nuk do të ketë këtë vit rritje të pagave të funksionarëve dhe jemi duke shqyrtuar mundësinë e korreksioneve përmes koeficienteve. Për çështjen e koeficienteve akoma nuk kemi biseduar me personat përgjegjës se si do të rregullohet, por rritje të pagave nuk do të ketë sigurt, siç është e sigurt edhe vdekja.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

LSDM: Premtoi uljen e pagave të zyrtarëve

Pas kësaj deklarate kanë reaguar nga partia opozitare maqedonase LSDM, të cilët kanë theksuar se nuk po mund ta njohin fytyrën e vërtetë të Mickoskit, dhe se ka ndryshime të mëdha në mes Mickoskit në opozitë dhe në pushtet.

“Mickoski nga koha e opozitës nuk e njeh Mickoskin në pushtet. Ai në një intervistë për Televizionin Sitel më 17 gusht 2023, do t'u premtojë qytetarëve se do t'i rishikojë dhe ulë pagat e nëpunësve shtetërorë nëse qytetarët i besojnë, për çka do të propozojnë edhe ligj të veçantë. Ndërsa tani kur Mickoski është kryeministër, kanë kaluar plotë 4 muaj që kur është në krye të Qeverisë, ndërsa ai nuk flet asnjë fjalë për uljen dhe rishikimin e premtuar të pagave të zyrtarëve. LSDM-ja pret që Mickoski të përmbushë premtimin e tij për uljen dhe rishikimin e pagave të zyrtarëve shtetërorë.”, - thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Nga LSDM-ja kanë shtuar se Mickoski nuk duhet të gjej mënyra se si t’i shmanget premtimeve të dhëna para qytetarëve, por ai duhet t’i ulë pagat ashtu siç kishte premtuar dhe jo të thotë se nuk do të ketë rritje.

Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski thekson se rritje nuk do të këtë vit, por kjo nuk përjashton mundësinë që një gjë e tillë të parashihet në vitin e ardhshëm. (Fitim Kryeziu, TVM2)