Botë

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, Kurti: Isha i gatshëm që ta shkruaj draftin

29.10.2024 15:55

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk i ka munguar vullneti për të shkruar draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk i ka munguar vullneti për të shkruar draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por një gjë e tillë është refuzuar në takimin në Ohër. Ai njëherit thekson se Asociacioni nuk mund të imponohet, por është çështje që duhet të trajtohet përbrenda Kosovës.
 
“Unë kam ofruar që ta shkruaj draft-statusin më datën 18 mars të vitit 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por aty jam refuzuar. Më është thënë që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues. Ekipi menaxhues në krye me deputeten e Kuvendit të Serbisë nga partia e presidentit atje, Daniela Vuçiq shkroi diçka që ishte edhe më keq se Republika Serbe, këtë e panë edhe ndërmjetësit. Është e njëjta deputete që në rrjete sociale i thur lavde Milan Radoiçiqit, kryekriminelit të vrasjes së heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.”, - deklaroi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
 
Kurti: Dialogu po dështon për shkak të Serbisë
 
Kurti njëherit ka theksuar se dialogu në Bruksel po dështon, për shkak të qëndrimeve të Serbisë.
 
“Ju e dini se jam i gatshëm për dialog, por kam kërkuar ta nënshkruaj marrëveshjen. Por, cili është kuptimi të bësh marrëveshje dhe në fund thua s’e nënshkruaj dot?”, - theksoi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.  
 
Takimi i fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në nivel të kryenegociatorëve u mbajt më 24 tetor dhe përfundoi pa rezultate për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.
 
GYLTENE SINANI