Hapet panairi për energjetikë dhe teknologji, Mexhiti: Duhet punë për transformim të gjelbër

29.10.2024 16:01

Në kryeqendrën e vendit po organizohet panairi ndërkombëtar...

Në kryeqendrën e vendit po organizohet panairi ndërkombëtar për teknologji dhe energjetikë, “Energo Technoma 2024”. Me këtë rast, në fjalimin e hapjes zyrtare, ministri i Ambientit, Izet Mexhti, theksoi angazhimin në dikasterin përgjegjës për transformim të gjelbër, që sipas tij kërkon përdorimin efikas të burimeve.

Pos dokumentacioneve të hartuara duhet edhe monitorim dhe mbështetje nga kompanitë, në mënyrë që të transferohemi drejt eko industrisë, tha Mexhiti.

“Bashkimi Evropian ka për qëllim që ta arrijnë neutralitetin klimatik deri në vitin 2050. Për ta siguruar këtë, nevojiten ndryshime në numër sektorësh kyç si investimi në teknologjitë e pastra dhe inovative për mjedisin, mbështetja e industrisë për inovacion, përdorimi i formave më të pastra, më të lira dhe më të shëndetshme të transportit privat dhe publik, dekarbonizimi i sektorit të energjisë, sigurimi i efikasitetit energjetik të objekteve, si dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar në përmirësimin e standardeve globale ekologjike.”, - deklaroi ministri i Ambientit, Izet Mexhiti.

Bozhinovska: Resurse kemi, të nxisim inovacione

Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, pohoi se theksi kryesor i punës në dikasterin ku ajo udhëheq është vënë në tranzicionin energjetik drejt energjisë së gjelbër. Potencialet për ripërtëritjen e energjisë ekzistojnë, por duhet të krijohen kushte që nxisin inovacione dhe progres në këtë sektor, nënvizoi Bozhinovska.

“Në procesin e tranzicionit energjetik rol të rëndësishëm ka inovacioni, investimet dhe përkushtimi i të gjithëve, i liderëve tanë të përkushtuar me profesionalizëm dhe personat e përgatitur profesionalisht në industri. Inkurajoj të gjithë që të vazhdojnë të zhvillojnë vendime që e zvogëlon varësinë tonë nga burimet konvencionale të energjisë, rrisin efikasitetin dhe e integrojnë ripërtëritjen e energjisë në përditshmërinë tonë.”, - theksoi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.

Panairi do të zgjatë tre ditë, ndërkaq interesimi i kompanive për promovimin e shërbimeve ekologjike dhe ambientaliste ishte i dukshëm. Edhe vizitorët nuk ishin pak në numër. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)