Maqedoni

Fshati Barrë, pllakë përkujtimore 112 vite pas shkatërrimit

30.10.2024 16:32

Tingujt e himnit kombëtar u dëgjuan përsëri në fshatin Barrë...

Tingujt e himnit kombëtar u dëgjuan përsëri në fshatin Barrë, i cili gjendet mbi fshatin Mojancë të komunës së Haraçinës apo 20 kilometra nga Shkupi, i djegur deri në themel nga hordhitë serbe në vitin 1912.
 
Kësaj radhe 112 vite pas, pasardhësit e banorëve të Barrës që arritën t’i shpëtojnë masakrës erdhën për të vendosur një pllakë përkujtimore për të përkujtuar shkatërrimin e fshatit dhe të afërmit e masakruar. 
 
“Babaplak, kur kanë ikur në atë kohë ka pasur 12 apo 13 vjet. Erdhën këtu serbët, ua marrin dhentë e dhitë, e gjithçka që kanë pasur dhe detyrohen të ikin në Straçincë. Ky fshat ka pasur 85 shtëpi thonë. Gjysma kanë shkuar në Turqi dhe nuk kanë pasur më kontakt me të tjerët. Ne kemi mbetur diku 15 shtëpi në Straçincë, diku 15 në Haraçinë dhe 15 në Nagushtak. Këta janë që njihemi më shumë.”, - u shpreh trashëgimtari i banorëve të fshatit Barrë.
 
Barrjanët e mbijetuar: Fshati u dogj me themel nga forcat serbe
 
“Në vitin 1912 nga forcat barbare janë bombarduar dhe djegur të gjitha shtëpitë. Të gjithë fshatarët kanë qenë të detyruar nga ky fshat. Gjyshi im Beqir Kamberi dhe Ramiz Kamberi kanë qenë diku 12-vjeçar kur janë shpërngulur. Nga frika e përndjekjes shumë fshatarë nuk janë prezantuar kanë ngelur të fshehur, por ja që erdhi koha, erdhi dita dhe momenti që ne bashkë me këta bashkëfshatarë me persona të fshatrave tjerë, të cilët i falënderoj nga zemra që na përkrahën, ta përkujtojmë këtë datë ku ka ndodhur kjo masakër dhe djegia e këtij fshati.”, - theksoi  trashëgimtari i banorëve të fshatit Barrë.
 
“Unë jam Isa Ibrahimi, gjyshi i Hafëz Jahi Ibrahimit. Kanë qenë tre vëllezër, dy kanë mbetur në fshatin Nagushtak, ndërsa njëri ka shkuar në Turqi, është shpërngulur.”, - u shpreh një trashëgimtar i banorëve të fshatit Barrë.
 
Historiani, Isuf Bislimi: Barra u dogj, gjysma e barrjanëve u masakruan
 
Historiani Isuf Bislimi, thotë se Barra është një fshat Dardan, i cili është njëri nga 730 vendbanimet e shkatërruara në trevat shqiptare në periudhën e vitit 1912.
 
“Më 26 tetor të vitit 1912, një armatë e madhe serbe pasi granatoi nga rrafshi, më pas e rrethoi dhe i dogji të gjitha shtëpitë dhe xhaminë, duke i shkatërruar. Një pjesë e konsiderueshme e banorëve para se të arrijnë serbët u larguan nga fshati, ndërsa pjesa që mbeti këtu u zhduk pa gjurmë, duke u masakruar në fshatrat sllave përreth Barrës. Pas kësaj pushtuesit serb nuk lejuan pjesën tjetër të popullsisë që të rikthehet në fshatin e shkatërruar. Me largimin e serbëve në fund të vitit 1915 dhe ardhjen e bullgarëve në vitin 1916, barrjanët kishin filluar të rikthehen në fshat, por e njëjta gjë u kishte ndodhur edhe me pushtuesit bullgar në janar të vitit 1916 dhe pas kësaj periudhe barrjanët hoqën dorë nga rikthimi në fshat.”, - theksoi historiani, Isuf Bislimi.
 
Historiani Isuf Bislimi thotë se ky fshat aso kohe kishte rreth 750 banorë, gjysma e të cilëve ishin masakruar. Njëherit ai ngrit dilemat se banorët e masakruar mund të jenë varrosur në varreza masive.  
 
NAIM SINANI