Përmbytje në Spanjë, 62 të vdekur, qindra të zhdukur
62 të vdekur dhe qindra të zhdukur...

62 të vdekur dhe qindra të zhdukur është bilanci tragjik i përmbytjeve që goditën Spanjën. Pamjet që vijnë janë apokaliptike, pasi vendi u godit nga një valë e dhunshme e motit të keq me shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje të papritura në provincën e Valencias, zonën jugore dhe lindore të gadishullit Iberik.
Sasia e shiut që ra në një periudhë 24-orëshe zakonisht bie mbi një muaj. Roja Civile konfirmoi se shumica e viktimave janë fëmijë.
“Gjëja më e rëndësishme është të shprehim ngushëllimet dhe pikëllimin tonë për humbjen e kaq shumë jetëve. Ka pasur edhe shkatërrime të mëdha të infrastrukturës dhe të mirave materiale të shumë njerëzve. Ka ende vështirësi në akses në disa lokalitete, kështu që ende nuk ka informacion të plotë për ndikimin, efektet dhe madje edhe viktimat e mundshme.”, - theksoi Mbreti Filipi VI.
“Siç e dini, ka persona që aktualisht janë të zhdukur. Nuk mund të jap një numër të saktë, nuk dihet çfarë ndodh dhe sa të tjerë do të gjejmë.”, - u shpreh kryetari i Bashkisë Letur, Sergio Marin.
Por, stuhia shkatërruese nuk ka mbaruar ende. Meteorologët paralajmërojnë që zona të tjera mund të përfshihen nga stuhi të mëdha. Autoritetet bëjnë thirrje që të mos dalin jashtë shtëpive.
"DANA vazhdon të shkaktojë kërdi. Ne nuk mund ta konsiderojmë ende të mbaruar këtë episod shkatërrues. Ka një paralajmërim portokalli, si në Andaluzi ashtu edhe në komunitetin e Valencias. Në Aragoni, Kastilla Leon, Katalonia, Ekstremadura, Navarra, La Rioha dhe Seuta, me pak fjalë, të gjitha këto komunitete kanë një paralajmërim të verdhë sipas përditësimit të fundit nga Agjencia Meteorologjike Spanjolle.”, - deklaroi kryeministri, Pedro Sançez.
Ndërkohë, njësitë e ushtrisë po marrin pjesë në operacionin e shpëtimit. Sipas përditësimeve të fundit, të paktën 38 mijë persona kanë mbetur pa energji elektrike. Linja hekurudhore midis Valencias dhe Madridit kanë pësuar dëme të forta, ndërsa shumë zona krahas mungesës së energjisë elektrike kanë mbetur edhe pa valë telefonike. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
