5 masakra në Beit Lahia të Gazës, 102 të vrarë dhe 287 të plagosur
Lufta në Gazë vazhdon me intensitet të lartë...

Lufta në Gazë vazhdon me intensitet të lartë. Në “5 masakrat" e fundit që ushtria izraelite ka kryer ndaj zonave të ndryshme të Gazës, janë vrarë 102 palestinezë, ndërsa 287 të tjerë janë plagosur.
Zona më e rrezikuar është Beit Lahia, në veri të Rripit të Gazës, e cila është nën rrethim dhe sulmohet vazhdimisht. Komuna e shpalli qytetin "zonë fatkeqësie", ku kriza humanitare po thellohet dita-ditës për shkak të okupimit, bllokadës dhe sulmeve intensive të Izraelit.
Në sulmin e parë u vranë 93 civilë, ndërsa në sulmin e fundit 13, të gjithë fëmijë.
“Do të vazhdojmë përpjekjet që të sjellim furnizime mjekësore, karburant, gjak, ushqim për stafin dhe pacientët. Ky është misioni i katër i OBSh-së, përgjatë këtyre dy javëve. Është shumë e rëndësishme në këto momente të transferojmë pacientët e plagosur.”, - deklaroi përfaqësuesi i OBSh-së, dr. Riçard Peperkorn.
“Situata edhe më tej është katastrofale edhe përskaj ndihmës së OBSh-së. Nuk ka ujë, nuk ka ushqim, nuk ka ilaçe. Edhe pse janë sjellë furnizime, ato janë shumë të pakta. Urgjentisht na duhen ekipe kirurgjike për intervenime për të shpëtuar jetën e pacientëve të plagosur.”, - theksoi drejtori i Spitalit në Gazë, Hosam Abu Safija.
Hamasi e pranon kërkesën e ShBA-së, Katarit dhe Egjiptit, vendet që ndërmjetësojnë mes palëve të përfshira në konflikt për të arritur armëpushim, por fajëson Izraelin se përpiqet të shkaktojë pengesa në arritjen e paqes.
“Delegacioni i lëvizjes është i hapur për çfarëdo marrëveshje ose idesh që do t’i japin fund vuajtjes së popullit tonë në Gazë dhe jemi gati për t’i dhënë fund luftës njëherë e përgjithmonë.”, - theksoi përfaqësuesi i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri.
Izraeli, i cili ka hapur fronte tjera në Lindjen e Mesme, kërcënon Iranin, se ka aftësi të madhe për ta shkatërruar nëse ndërhyn dhe rreshtohet në krahë të Hamasit.
"Nëse Irani bën gabimin e radhës duke lëshuar raketa në Izrael, ne përsëri do t’u tregojmë se mundemi të futemi në Iran dhe të shpalosim aftësitë tona që askush nuk i kanë parë deri tani.”, - u shpreh drejtuesi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Herzi Halevi.
Numri i palestinezëve të vrarë nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 43.163, që nga fillimi i këtij konflikti. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
