Botë

Spanja shpall tri ditë zie kombëtare, shkon në 95 numri i viktimave nga përmbytjet

31.10.2024 09:49

Përmbytjet e mëdha në Spanjë i kthyen rrugët e fshatrave në lumenj, shkatërruan shtëpitë, ndërprenë transportin dhe vranë të paktën 95 njerëz...

Përmbytjet e mëdha në Spanjë i kthyen rrugët e fshatrave në lumenj, shkatërruan shtëpitë, ndërprenë transportin dhe vranë të paktën 95 njerëz në fatkeqësinë më të rëndë natyrore që ka goditur kohët e fundit këtë vend evropian.

Qeveria e Spanjës shpalli tri ditë zie duke filluar nga e enjtja. “Për ata që kërkojnë të dashurit e tyre, e gjithë Spanja ndjen dhimbjen tuaj.”, tha kryeministri, Pedro Sançez, në një fjalim në televizion.
 
Personeli i kërkim-shpëtimit dhe mbi 1.100 ushtarë nga njësitë e reagimit të shpejtë të Spanjës u dislokuan në zonat e prekura. Qeveria qendrore e Spanjës krijoi një komitet krizash për të koordinuar përpjekjet e shpëtimit. Një qytet i Valencias, Paiporta, pësoi humbje të jashtëzakonshme.
 
Kryebashkiaku Maribel Albalat tha për kanalin RTVE se mbi 30 persona vdiqën në qytetin me rreth 25.000 banorë. Ndër ta ishin gjashtë banorë të një azili për të moshuarit. Edicionet e lajmeve transmetuan pamje të të moshuarve në karrige dhe karrige me rrota në një shtëpi të të moshuarve në Paiporta, disa duke bërtitur me tmerr të dukshëm, ndërsa uji u ngjitej mbi nivelin e gjunjëve. Numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet, ndërsa rajone të tjera vazhdojnë të raportojnë për viktima dhe përpjekjet e kërkimit vazhdojnë në vendndodhje që janë të vështira për t’u arritur.