Maqedoni
“Bomba” e 27-të, materialet për përgjim vijnë nga DSK dhe MPB
28.04.2015 16:56
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, publikoi sot audio-regjistrimet të cilat, sipas tij, konfirmojnë se kush ka përgjuar në Maqedoni dhe si e kanë realizuar atë...

Në kuadër të “bombës” së 27 me radhë, lideri i socialdemokratëve, Zaev, tha se njerëzit që janë ndjekur janë vendosur në lista eksell dhe me pseudonime.
Politikanët e përgjuar janë ndarë në dy tabela, ata shqiptarë dhe maqedonas. Në 1955 faqe të dokumentit shtetëror me titull “Riprodhim”, për disa vite janë shkruar bisedat e të përgjuarve dhe janë analizuar të njëjtat, thotë Zaev, duke shtuar se pikërisht me pajisjen e marrë nga Izraeli është realizuar përgjimi.
Në bisedë mes ministres, Gordana Jankullovska, dhe zëdhënësit të MPB, ajo tregon si policia mund ta gjejë telefonin e dikujt. Jankullovska në bisedë me Mijallkovin pranon se policia gënjen se nuk ka incizime për ndonjë rast. Në një bisedë tjetër, Jankullovska kërkon nga kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, që të intervenojnë në Ligjin për Përgjime që Komisioni Parlamentar mos të bëjë kontrolle të paparalajmëruara në Drejtorinë për Zbulim dhe Kundërzbulim (DSK).
“Kemi më shumë se 100 mijë transkripta, më shumë se 18 mijë porosi, më shumë se 12 mijë numra të ndryshëm telefonik. Bëhet fjalë për material prej 10 mijë faqeve. Nuk janë dokumente sekrete, sepse paraqesin keqpërdorim të kompetencave. Këto të dhëna vijnë nga Drejtoria për Zbulim dhe Kundërzbulim dhe nga MPB-ja. Sasho Mijallkov dhe Nikolla Gruevski me vite kanë përgjuar qytetarët e Maqedonisë”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Duke dhënë vlerësim mbi ngjarjet e fundit në rajonin e Karadakut, Zaev tha se ai posedon dokumente edhe për këtë, por për momentin nuk do të publikohen, sepse nuk janë të kompletuara. Ka indikacione të fuqishme se ndodhitë janë skenar i keq për Maqedoninë.
“Shëtituni ne Gushincë dhe në fshatrat përreth dhe banorët do t’u thonë se nuk do të lejojnë asgjë të shkatërrojë atë që për momentin e kemi shumë me rëndësi, e ajo është uniteti mes të gjitha bashkësive etnike. Së pari do të përsëris: edhe po të jenë inskenuar nga pushteti, por edhe po të jetë rast i vërtetë, pushteti duhet të bart përgjegjësi. Megjithëse ata e dinë edhe vetë se me këtë rast ata janë të futur në një budallallëk. Edhe pse faktet gjithnjë e më shumë arrijnë në LSDM, por shkaku se nuk janë të kompletuara nuk mund të marr të drejtën të zbardh dhe të konfirmoj, por kam indikacione të fuqishme se kjo është një dëshirë e keqe për Maqedoninë. Dhe porosis që as qytetarët e as LSDM-ja nuk do të lejojnë që ky skenar i keq të realizohet. Ne e kemi listën e armatimit që mungon, si është realizuar aksioni që të zbulojnë 10 pistoleta, cilat shtëpi i kanë bastisur dhe si e kanë realizuar atë. Këto informacione i di, sepse qytetarët dëshirojnë të mbrohen. Qytetarët shqiptarë u drejtohen qytetarëve maqedonas duke ju thënë nuk jemi ne, ne jemi bashkë në këtë shtet, mos e drejtoni gishtin tek ne, dhe ne këtë duhet ta pranojmë”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
I pyetur se a ndjen përgjegjësi se rasti “Sopot” është montuar në periudhën që ata kanë qenë në pushtet, Zaev tha se për këtë nuk mund të fajësohen të gjithë socialdemokratët, por vetëm individë të caktuar të cilët kanë inskenuar dëshmi. Sipas tij, është me rëndësi që më në fund rasti është zbardhur.
Zaev njoftoi që para se të fillojnë protestat e LSDM-së do të publikojë materiale për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovc, vdekjen e Mlladenovit, vdekjen e Martin Neshkovit dhe disa raste të tjera të cilat janë sensitive për qytetarët e vendit.
SANIJE KASAMI
