Ekonomi
S’ka më çmime të kufizuara, përfundon masa për kufizim nga Qeveria
31.10.2024 11:16
Në Maqedoninë e Veriut përfundon masa për kufizimin e marzhës së fitimit të një pjese të produkteve ushqimore...

Në Maqedoninë e Veriut përfundon masa për kufizimin e marzhës së fitimit të një pjese të produkteve ushqimore bazë që u përfshinë me shportën konsumatore të vjeshtës.
Vendimi është marrë nga Qeveria në gjysmën e dytë të shtatorit, ndërsa me të janë përfshirë 73 produkte ushqimore bazë, marzha bruto e fitimit e të cilave u kufizua në 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Qeveria paralajmëron se do të kundërshtojë ashpër nëse çmimet rriten sërish. Qeveria paralajmëroi se do t’i përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për të mbrojtur standardin e qytetarëve. Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, vlerësoi se masa ka dhënë rezultate sepse çmimet e produkteve të caktuara janë ulur nga pesë deri në dhjetë për qind. Ai beson se tregtarët nuk do t’i rrisin çmimet, sepse nga fundi i shtatorit është në fuqi edhe Ligji për praktika të padrejta tregtare me të cilin mbi 2.500 produkte kanë një diferencë të kufizuar prej 10 për qind.
“Nëse muajin e ardhshëm kemi rritje drastike të çmimeve, do të marrim masa më të rrepta.”, tha Durmishi.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ku e përpunojnë shportën konsumatore sindikale me tregues se sa janë shpenzimet minimale të një familjeje katër anëtarëshe, thonë se masa e Qeverisë nuk i ka dhënë rezultatet e dëshiruara, sepse tregtarët kanë mashtruar.
