De Maiziere: Kërkesat e shqiptarëve për azil, në dëm të shtetit

28.04.2015 17:03

Nëse shqiptarët nuk tërhiqen nga kërkesat për azil, atëherë kjo do të jetë në dëm të vendit tuaj...

Ky është paralajmërimi që i ka dhënë ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, homologu i tij gjerman gjatë një takimi të zhvilluar në Berlin. Ministri gjerman, De Maiziere, deklaroi se të gjithë shqiptarët e mbërritur në Gjermani për azil do të kthehen në Shqipëri.

“Po merremi bashkërisht me një çështje që na shqetëson, siç është azili. Janë shqiptarë nga Shqipëria apo nga shqiptarët që jetojnë në vende të tjera, që vijnë në Gjermani për të kërkuar azil. Ky është një shqetësim i madh, sepse mund të prodhojnë pasoja në raport me vendimin tuaj, që ju do donit t’i shmangnit. Ndaj mesazhi im i qartë është se nuk ka asnjë shans për të fituar azil politik në Gjermani. Të gjithë shqiptarët që kanë ardhur, apo që do të vijnë, do të rikthehen në vendin e tyre. Në Shqipëri ka një demokraci krenare dhe nuk ka arsye për përndjekje politike. Ne do të bëjmë shumë për ta zhdukur këtë shqetësim dhe do të kemi bashkëpunim të madh jo vetëm duke u fokusuar te arsyet e gabuara të kërkesave për azil”- deklaroi De Maiziere.

Tahiri, nga ana e tij nuk e fshehu shqetësimin për vrullin e këtij fenomeni, duke shprehur angazhim për ta frenuar atë.

“Shqetësimi për azilkërkuesit është një shqetësim që po adresohet edhe në vendin tonë. E informova kolegun për masat që ka marrë Shqipëria dhe gjithashtu ia bëra të qartë angazhimin e Qeverisë shqiptare për të mos lejuar në asnjë mënyrë shtetas shqiptarë, që në mënyrë të padrejtë vijnë kërkojnë azil politik. E bëmë të qartë që nuk ka azil politik në Gjermani dhe në asnjë vend të BE-së, për arsye politike apo për arsye ekonomike, dhe do të bëjmë gjithçka për të ndaluar këtë fenomen që shqetëson si Shqipërinë dhe partnerët tanë”- tha ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sajmir Tahiri.

Dy ministrat diskutuan për fushat e bashkëpunimit dhe përpjekjen e përbashkëta për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. (Luljeta Ndoka, TVM2)