MASh, Ligji i ri për librat e arsimit fillor dhe të mesëm, Janevska: Vitin e ardhshëm 650 milionë euro për arsim
Propozim-ligji i ri për tekstet shkollore në arsimin fillor...

Propozim-ligji i ri për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm, që të mërkurën u publikua në regjistrin kombëtar elektronik të ligjeve “ENER”, do të jetë i hapur 20 ditë për sugjerime dhe këshilla. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, thotë se me miratimin e zgjidhjes së re ligjore do të rregullohet njëherë e përgjithmonë mungesa e teksteve shkollore, ku tekstet e përgatitura do të kalojnë përmes të gjitha filtrave të MASh-it.
“Risia është se kësaj radhe shtëpive botuese po u japim mundësinë të marrin pjesë me tekste tashmë të përgatitura dhe më pas në një procedurë përzgjedhjeje, miratimi nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit dhe shqyrtimi nga Komisioni Kombëtar, detyrimi për t’i shtypur tekstet shkollore barten tek botuesit, të cilat me marrëveshje do të obligohen t'i dorëzojnë tekstet shkollore deri më 1 shtator.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
E pyetur për mungesën e teksteve të reja nëpër shkollat e Tetovës, ku nxënësit ndjekin procesin edukativo-arsimor nga libra të grisura dhe të fotokopjuara, Janevska drejton gishtin kah drejtuesit e shkollave.
Thotë se ata nuk kanë paraqitur se janë dëmtuar një numër i madh i librave, pasi që kanë dashur t’i kursejnë prindërit të mos paguajnë për këtë gjë.
“Më vjen keq të them se ky është një keqkuptim i madh. MASh-i në asnjë moment nuk mund të dijë se sa tekste u nevojiten shkollave nëse të njëjtat nuk i raportojnë. Ka një sistem elektronik që aktivizohet në fund të vitit, ne u dërgojmë një letër, duke i njoftuar shkollat se po aktivizojmë sistemin elektronik ku ata mund të raportojnë një numër të shtuar të nxënësve apo nevojën për plotësimin e teksteve të dëmtuara. Nëse shkollat nuk i raportojnë tekstet e dëmtuara, nuk mund ta dimë se kanë nevojë për tekste të reja shkollore.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Të gjitha këto, Janevska i tha në kuadër të konferencës përmbyllëse të projektit IPA “Përmirësimi i cilësisë së arsimit”, ku mes tjerësh ajo bëri të ditur se në buxhetin e vitit të ardhshëm, janë parashikuar 650 milionë euro për arsimim. (Rexhep Qamili, TVM2)
