Ndryshimet kushtetuese, Gashi: Presim sinjal nga shumica e deputetëve

31.10.2024 14:12

Parlamenti është gati për ndryshimet kushtetuese...

Parlamenti është gati për ndryshimet kushtetuese, ka deklaruar kryeparlamentari, Afrim Gashi, pasi Komisioni Evropian nënvizoi se integrimi mbetet peng i përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë. Por, sipas kryeparlamentarit për arritjen e ndryshimeve nevojitet vullnet politik.

Ai pret sinjal pozitiv nga dy të tretat e deputetëve për rrumbullakimin e procesit.

“Natyrisht për këtë çështje duhet vullnet politik. Ne presim që sa më shpejt palët të merren vesh, të kemi një sinjal se ka vullnet pozitiv te shumica e deputetëve, dy të tretat dhe ne si Kuvend ta fillojmë këtë procedurë menjëherë për shkak se jemi të bindur që sa më shpejtë që e fillojmë procedurën, implementojmë ndryshimet kushtetuese, aq më tepër i hapim më shpejt kapitujt, t’i mbyllim ato dhe sa më shpejt të bëhemi anëtarë të BE-së.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.

Procedurat e shpejta në shënjestër të KE-së, Gashi: Do t’i mënjanojmë me agjendën reformuese

Brukseli kritikoi Kuvendin për procedurat e përshpejtuara të miratimit të ligjeve, por jo edhe për keqpërdorim të flamurit evropian. Kryeparlamentari Afrim Gashi, megjithëse nuk i përkrah procedurat eksprese, thotë se kryesisht kishin të bënin me miratimin e ligjit për Qeveri, ku janë ndryshuar emërtimet e institucioneve. Gashi shprehet i fokusuar në mënjanimin e tyre së shpejti nëpërmjet agjendës reformuese.

“Po bëjmë përpjekje maksimale, me kryeministrin, me deputetët, me të gjithë ministrat. T’ua bëjmë me dije se vërtetë me rregulloren e re nuk fitohet shumë kohë nëse ligji vjen me procedurë të shkurtuar apo me procedurë të rregullt. Unë po bëj përpjekje maksimale që të gjitha ligjet të vijnë në procedurë të rregullt.”, - theksoi kryeparlamentari, Afrim Gashi.

Gashi njofton edhe për avancimin e bashkëpunimit ndërpartiak. Ndërkaq me rregulloren e re të Kuvendit, opozitës i jepet hapësirë shtesë që t’i kërkojë llogari ekzekutivit. Kjo do të ndodh në seancën e parë të çdo muaji, ku deputetët e opozitës në dy orët e para do të kenë mundësi të parashtrojnë pyetje anëtarëve të Qeverisë. (Meral Ismaili, TVM2)