Botë
Oravi i dërgoi Kurtit raportin e KE-së
31.10.2024 14:29
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Aivo Orav, i ka dorëzuar kryeministrit, Albin Kurti...

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Aivo Orav, i ka dorëzuar kryeministrit, Albin Kurti, “Raportin për Kosovën” nga Komisioni Evropian. Në asnjë fushë të vlerësuar nga kriteret themelore nuk ka regres, ka shkruar Kurti në një postim në rrjetet sociale, duke shtuar se vetëm në dy fusha nuk ka progres, e në të gjitha të tjerat, 35 prej tyre ka progres.
"Në tri vitet e fundit, kemi arritur mbi 70% në zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane. Jemi vlerësuar pozitivisht në përafrimin me politikën e jashtme të BE-së, si dhe sukseset në bashkëpunimin rajonal, duke përfshirë përfaqësimin në CEFTA dhe avancimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, kjo e fundit tashmë si shtyllë e dytë e Planit të Rritjes. Raporti thekson angazhimin dhe përparimin tonë të palëkundur në rrugën drejt integrimit në BE, si dhe përafrimin tonë me legjislacionin dhe vlerat evropiane.", thekson Kurti.
Si kryeministër, Kurti mirëpret rekomandimet e raportit, adresimi i të cilave është i rëndësishëm për Kosovën, jo vetëm në rrugëtimin drejt përparimit në procesin e integrimit evropian, por para së gjithash për përparimin e mëtutjeshëm socio-ekonomik të shtetit.
"Anëtarësimi në BE mbetet synimi strategjik i yni dhe gati dy vjet pas aplikimit tonë është koha që Kosova të vlerësohet në kushte të barabarta për ta marrë statusin e kandidatit, të cilin e meritojmë.", thekson kryeministri, Kurti.
Në raportet për Kosovën dhe Serbinë theksohet edhe nevoja për vazhdimin e dialogut dhe implementimin e marrëveshjeve të deritanishme.
GYLTENE SINANI
