Botë
ShBA, garë e barabartë mes Trampit dhe Harisit
31.10.2024 14:47
Pak ditë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, sondazhet tregojnë një garë të barabartë mes dy kandidatëve – republikanit...

Pak ditë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, sondazhet tregojnë një garë të barabartë mes dy kandidatëve – republikanit, Donald Tramp dhe demokrates, Kamala Harris. Fushata është e ashpër edhe në fund. Trampi përdori gafën e presidentit Bajden, duke i quajtur plehra mbështetësit e tij. I veshur me një jelek portokalli, ai doli nga avioni që mban emrin e tij dhe hipi në një maunë plehrash.
“Si ju pëlqen mauna ime e plehrave? Kjo maunë është për nder të Kamalas dhe Xho Bajdenit. Por, thjesht dua t'u kujtoj se 250 milionë njerëz do të votojnë për ta bërë Amerikën sërish të madhe.”, - deklaroi kandidati për president i ShBA-së, Donald Tramp.
Harrisi mbajti tubim jashtë Shtëpisë së Bardhë, ku kundërshtari i saj i vitit 2021, Tramp, u bëri thirrje mbështetësve të tij që të sulmonin Kapitol Hillin. Tha se vendi ka nevojë për ndryshime të mëdha me një gjeneratë të re liderësh.
“Për një kohë të gjatë ne kemi qenë të zhytur në kaos dhe mosbesim të ndërsjellë. Le të ndalemi duke treguar gishtat dhe të kryqëzojmë krahët. Është koha për të kthyer faqen, është koha për një brez të ri liderësh në Amerikë.”, - theksoi kandidatja për presidente e ShBA-së, Kamala Haris.
Të dy kampet po bëjnë fushatë energjike për pjesëmarrjen, sepse çdo votë do të ketë rëndësi. Amerikanët janë të ndarë si kurrë më parë. Si mbështetësit republikanë, ashtu edhe ata demokratë i shohin këto zgjedhje si një pikë kthese ku nëse tjetri fiton, kombi nuk do të mbijetojë.
“Ky është një komunitet i dominuar nga demokratët, nuk na lënë hapësirë të shprehemi. Nuk ka mjaft republikanë për të arritur një ekuilibër.”, - tha një votues.
“Do të doja të shihja më pak ndarje në vend. Mendoj se është e frikshme të ecësh në një botë ku njerëzit urrejnë njëri-tjetrin.”, - tha një votues tjetër.
"Trampi kishte të drejtë kur tha se ka njerëz të mirë në të dyja anët.”, - u shpreh një votues.
Përveç sfidave të mëdha në demokraci, ekonomi, politikë ndërkombëtare, këto zgjedhje konsiderohen edhe historike, sepse nëse fiton Kamala Harris, ajo do të jetë presidentja e parë femër e Amerikës, dhe nëse Trampi fiton, ai do të jetë një nga presidentët e paktë, që u kthyen në Shtëpinë e Bardhë pas një pauze 4-vjeçare.
FLUTURA LATIFI
