Ekonomi

Të premten do të skadojë masa e Qeverisë për marzhat, Qytetarët: Nuk ka dhënë efektin e duhur

31.10.2024 15:05

Më shumë se 70 produkte ushqimore bazë nga nesër nuk do të kenë marzha të kufizuara....

Më shumë se 70 produkte ushqimore bazë nga nesër nuk do të kenë marzha të kufizuara. Masa e Qeverisë e miratuar më 20 shtator, e cila parashikonte produktet në të ashtuquajturat shporta e vjeshtës të jetë me një diferencë të kufizuar prej 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë vlen deri sonte në mesnatë. Shumica e qytetarëve të anketuar nuk mendojnë se kjo masë ka dhënë efekte, përkundrazi presin që çmimet të rriten edhe më shumë. Por, ka edhe prej tyre që kanë mendim pozitiv rreth realizimit të kësaj mase. 
 
“Kurrfarë efekti nuk ka. Përkundrazi, para efektit janë rrit çmimet edhe kështu ata e tregojnë se ka efekt. Nuk ka efekt.”, - tha një qytetar.
 
“Hiç nuk ka dhënë efekt. Vetëm çka ka qenë diçka me fjalë, por nuk është bërë diçka për të përmirësuar gjendjen. Me siguri prej nesër do të rriten çmimet.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Jo efekte, nuk me zihet besë që ka efekte pozitive. Çmimet vetëm që rriten, se nuk zvogëlohen.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Mendoj se ka dhënë efekte dhe duhet të vazhdohet edhe më tej.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
Sa i përket shportës së vjeshtës nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, javë më parë, kur e shpallën shportën sindikale për muajin tetor, thanë se nuk ka dhënë rezultatin e dëshiruar. Sipas të dhënave të Lidhjes së  Sindikatave të Maqedonisë, vlera e shportës minimale sindikale për muajin tetor është 57 denarë më pak se ajo e shtatorit, gjegjësisht një familje prej katër anëtarësh këtë muaj i nevojiten 61.249 denarë për të mbuluar nevojat bazë mujore.
 
ERSAN PAJAZITI