Maqedoni

Dhuna në vendet e Ballkanit, shtetet pa regjistra të dhënash për viktimat

31.10.2024 15:33

Femicidi është një problem i theksuar në të gjithë rajonin....

“Femicidi është një problem i theksuar në të gjithë rajonin. Të dhënat janë të frikshme, qindra gra janë vrarë brenda një dekade, por të dhënat e sakta nuk dihen, pasi asnjë shtet në rajon nuk posedon regjistër qendror. Çdo e treta grua në Evropë është viktimë e dhunës në familje, ndërsa në Ballkanin Perëndimor është më e theksuar.”. Kjo u tha në konferencën rajonale në kuadër të projektit "Të bashkuar kundër dhunës në familje në Ballkanin Perëndimor - Bashkëpunim rajonal dhe mbështetje për strehimoret për viktimat e dhunës në familje". Megjithatë, lufta kundër kësaj dukurie vazhdon, thonë përfaqësuesit e vendeve të rajonit.
 
“Nuk kemi asnjë regjistër të vetëm për regjistrimin e viktimave të dhunës, kjo është diçka të cilën duhet ta bëjmë sipas Konventës përiudhën e ardhëshme, që të kemi të dhëna të sakta. Për momentin lajmërohen në qendrat sociale apo përmes institucioneve të tjera si, MPB-ja, pasi aty kërkojnë ndihmë dhe evidentohen.”, - tha zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski.
 
“Për të gjithë ne, kjo është një e dhënë dëshpëruese. Brenda dhjetë viteve në Serbi  janë vrarë mbi 300 gra nga pjesëtarët e familjes. Pra, dhuna në familje ka sjellë qindra viktima. Ajo për të cilën luftojmë ne si Qeveri është të sigurojmë Regjistër Qendror Publik, i cili është paraparë në konventë.”, - deklaroi zëvendësministrja serbe e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Nina Mitiq.
 
“Ajo çka ne jemi duke punuar përmes veprimeve tona institucionale është ndërtimi i përgjigjes shtetërore apo institucionale kudo që ndodh dhuna dhe ndërtimin e kapaciteteve shtetërore për të ofruar strehim, mbështetje dhe ri-integrim për viktimat e dhunës në familje.”, - theksoi këshilltarja politike e ministres së Drejtësisë së Kosovës, Nazlije Bala. 
 
“Bosnja dhe Hercegovina është ndër vendet e para në Evropë, që ka pranuar Konventën e Stambollit për luftën kundër dhunës në familje dhe dhunën ndaj grave dhe ratifikoi të njëjtën. Megjithatë prej te ratifikimi deri të zbatimi ka një rrugë të gjatë. Beteja jonë e përbashkët e vendeve të Ballkanit Perëndimor është të fillojmë nga prevenimi deri në sanksionim.”, - u shpreh zëvendësministrja e Bosnjës dhe Hercegovinës për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatëve, Dushka Jurishiq.
 
“Ne kemi mbështetur njëmbëdhjetë strehimore në të gjithë Ballkanin Perëndimor, pasi nuk kanë hapësira të mjaftueshme për strehimin e viktimave të dhunës në familje. Jemi gjithmonë aty për t’u ofruar mundësi të zgjerojnë hapësirat dhe të trajnojmë ekipet e tyre nëse ka nevojë.”, - deklaroi Sava Panteliq nga Organizata “ASB”.
 
Konferenca është organizuar nga organizata humanitare gjermane “Arbeiter-Samariter-Bund” (ASB) dhe Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU