Maqedoni
Kuvend, seancë për pyetje deputetësh
31.10.2024 15:42
Kryeministri Hristian Mickoski, pas marrjes së pushtetit, për së pari herë u ballafaqua me pyetje deputetësh...

Kryeministri Hristian Mickoski, pas marrjes së pushtetit, për së pari herë u ballafaqua me pyetje deputetësh, situatë kjo e cila shumë shpejt u shndërrua në “ring” akuzash mes opozitës dhe pushtetit. Koordinatori i “Frontit Evropian”, Blerim Bexheti, pyeti kryeministrin a është pro Rusisë apo pro Evropës, a është Gjykata Kushtetuese në duar të Qeverisë dhe hapën edhe çështjen e gjuhës shqipe dhe atë të vetingut. Në formë proteste gjatë përgjigjes së Mickoskit, deputetët e “Frontit Evropian” dolën para foltores me afishe në duar në të cilën shkruhej “PO EVROPËS, JO RUSISË”, “Pa përkatësi etnike nuk ka Marrëveshje të Ohrit”, “Larg duart nga gjuha shqipe”.
“Vendimet e GjK-së po thoni se nuk janë masë suedeze, të gjithë duhet t’i respektoni, por nuk i ndalni shigjetat asnjë ditë ndaj Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve. Të gjithë ne merremi me këtë profesion, nuk jeni i vetëm në këtë sallë dhe të gjithë dinë ta lexojnë dhe nuk është e rastit që shqetësimet janë shumë më të mëdha. Edhe njëherë ju parashtroj pyetjen: me këto vendime a e ktheni RMV-në dhe statusin e shqiptarëve si para vitit 2001.”, - deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të “Frontit Evropian”, Blerim Bexheti.
“Ju mund të jeni pak të inatosur që nuk jeni pjesë e kësaj Qeverie, por keni kohë në opozitë prej 4 vitesh për t'u riorganizuar, freskuar në planin e personelit dhe programit. Do të vijnë zgjedhjet dhe shqiptarët ose votuesit do të thonë fjalën e tyre, sepse shpresoj se do të përpiqeni të kërkoni vota edhe për bashkësitë tjera etnike, sepse gjatë gjithë kohës i referoheni vetëm një bashkësie etnike, ndërsa thoni që në koalicionin tuaj ka edhe etni tjera. Kjo Qeveri është e të gjithë qytetarëve dhe kështu sillet dhe do të sillet edhe në të ardhmen. Dhe as që më shkon ndër mend që të ndikoj në ndonjë vendim gjyqësor dhe as nuk do t'ia lejoj vetes një luks të tillë. Pyetja e tretë ishte për vetingun. Pra, vetingu është skena dhe pas perdes janë vendimet që vijnë nga Reçica e Vogël.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM-ja opozitare, pyetjet e saj i fokusoi te ndryshimet kushtetuese dhe Marrëveshja e Prespës. Lideri i opozitës, Venko Filipçe, vlerësoi se kryeministri Hristijan Mickoski tregoi "dyfishim dhe hipokrizi supreme politike" në lidhje me Marrëveshjen e Prespës dhe i bëri thirrje atij që ta kthejë mandatin. Ndërkohë Mickoski me kundërpërgjigje se derisa LSDM-ja e shiste Maqedoninë, kjo Qeveri po punon që ta çojë vendin në BE.
“E shikon si shembull për marrëveshje të tjera dhe nga një kundërshtar i palodhur je bërë mbështetësi më i zëshëm. Kjo dyfytyrësi dhe hipokrizi supreme politike duhet studiuar në libra për manipulimin e qytetarëve. Ju thatë se do ta kthenit mandatin nëse do të thoshit ndonjëherë Veriu. Hajde, tani është shansi juaj për të rikthyer mandatin në Parlament. Në vend të kësaj, ju dhe ministrat tuaj në një derë të vogël filluat të përdorni emrin kushtetues. Me këtë ju treguat se politika juaj nuk ka bosht kurrizor, por ne e dinim këtë.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Ka vetëm një plan, ai është BE-ja dhe shpresoj që pasi të dilni nga matrica partiake dhe t'i kërkoni falje popullit dhe qytetarëve maqedonas për gjithçka që keni bërë, do të shkëputeni nga politikat kriminale që keni udhëhequr në këto 7 vite. E gjithë kjo që i keni shkaktuar si dhimbje, prisja që të shfrytëzonit rastin këtu, sot, para foltores dhe të kërkoni falje.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
U ngrit edhe tema e certifikatave dhe përvojës së punës së drejtorit të ASN-së, Bojan Hristovskit, ndërsa lideri i opozitës thotë se ai është partiak dhe ka vetëm 5 vite përvojë pune në sigurimin. Kryeministri siguron se drejtori i ri i plotëson kërkesat me përvojë nëntëvjeçare dhe ky sektor nuk duhet të politizohet. Mickoski dhe Filipçe ndanë dokumente si dëshmi për argumentet e tyre. Në seancë u debatua edhe për marrëveshjen me “Behtel dhe Enkën”, për të cilën kryeministri tha se po kërkonin një mënyrë për ta deklasifikuar plotësisht, në mënyrë që opinioni të ketë një pasqyrë të asaj që ka rënë dakord Qeveria.
SANIJE DURAKU
