Maqedoni

Përfunduan sot Ditët e Hapura të USHT­së 2015

28.04.2015 17:15

Universiteti Shtetëror i Tetovës ka organizuar sot në hapësirat e tij Ditët e Hapura të UShT­së 2015, ku është promovuar oferta akademike për vitin 2015/2016...

USHT-ja ofron risi të shumta për  maturantët e të gjitha shkollave të mesme dhe studentëve, me çka do të kenë mundësi të njihen me format e studimeve, metodat e mësimit, planet dhe programet studimore. 
 
Sipas prorektorit të UShT-së, Arbër Çelikut, në kuadër të universitetit do të startohet me tre programe studimore, siç janë: komunikacion dhe gjeodezi në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara dhe programit të krimonologjisë në kuadër të Fakultetit Juridik.
 
“USHT-ja, siç po e shohim këtu të gjithë, ofron apo promovon ofertën akademike për vitin 2015-2016. Ne si universitet shtetëror në  Republikën e Maqedonisë, me plot bindje themi që  kemi një ndër ofertat më të  mira akademike dhe oferta  që  janë  më pak  komerciale në krahasim me universitetet tjera. Risi të shumta do të ofrojmë gjatë këtij viti akademik për studentët e rinj dhe për komunitetin e gjerë. Përveç programeve ekzistuese të  USHT-së, startojmë me njëmbëdhjetë fakultete dhe pesëdhjetë e katër programe studimore, po ashtu startojmë edhe me tre programe të reja studimore, siç janë: programi i komunikacionit dhe gjeodezisë në  Fakultetin e Shkencave të Zbatuara dhe programi i krimonologjisë në kuadër të Fakultetit Juridik”- deklaroi prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Arbër Çeliku.
 
“Organizimi i Ditës së Hapur në kuadër të UShT-së synon që më  për së afërmi të  promovojë ofertën akademike 2015-2016 përpara maturantëve, prindërve të  tyre, shkollave. Të gjithë ata që janë të interesuar dhe kanë shprehur dëshirë që të vizitojnë ambientet e UShT-së për t’i parë më për së afërmi mundësitë e volitshme që ofron universiteti jonë për të gjithë maturantët në  shumë sfera të ndryshme shkencore”- tha Ibrahim Neziri nga Zyra për Arsim.
 
Ditët e Hapura të UShT­së përfunduan sot. UShT-ja këtë vit akademik ka paraparë të regjistrojë 5000 studentë, përfshirë të gjithë ata në ciklin e parë dhe në projektin 30/35.
 

VISAR SADIKI