Dita Botërore e Kursimit, Ymeri Jusufi: Të mënjanohen shpenzimet joracionale
Kursimi është jetik për një mirëqenie të qëndrueshme....

Kursimi është jetik për një mirëqenie të qëndrueshme dhe ky zakon duhet të praktikohet që në moshë të hershme për të ndihmuar në parandalimin e vështirësive ekonomike dhe në ndërtimin e një të ardhmeje të ndritshme për veten dhe familjet e tyre.
Dita Botërore e Kursimeve nxjerr në pah domosdoshmërinë e kursimit për të ardhmen. Ekonomistët thonë se qytetarët të mënjanojnë shpenzimet joracionale dhe ato para t’i kursejnë.
“Duhet të fillohet me shuma të vogla, është bile një shembull në të cilin cekin se të kursesh në një shumë minimale dhe çdo javë të ardhshme të shtohet dyfishi i saj për një periudhë vjetore do të jetë goxha një shumë e majme. Qoftë edhe me 50 denarë, në fund të vitit do të arrihet në 70 mijë denarë të keni kursime. Çështja është se si, cilat janë metodat, e para duhet të shohim a kemi njohuri mbi të gjitha kushtet e kursimeve. Unë e ceka se duhet të informohen njerëzit, t’u tregohet se ekzistojnë edhe mënyra të tjera, pastaj duhet të jemi të duruar dhe këmbëngulës në atë që dëshirojmë.”, - deklaroi profesoresha universitare, Bukurie Ymeri Jusufi.
Qytetarët nga ana tjetër thonë se nuk kanë mjete të mjaftueshme për të kursyer.
“Kursejnë vetëm ata që kanë 4 ose 5 rroga në shtëpi, se të tjerët jo. Me dy rroga asgjë s’mundesh të bësh.”, - tha një qytetar.
“Nuk kemi mundësi të kursejmë, jemi më dobët me financa, me rroga, me gjithçka dhe s’mund ta bëjmë.”, - tha një qytetar tjetër.
Përndryshe, Dita Botërore e Kursimeve shënohet ndërkombëtarisht nga viti 1924, kurse në vendin tonë është shpallur në vitin 1999. Çdo vit, Dita Botërore e Kursimeve ka një temë të ndryshme që përmbledh frymën e kursimit. Këto tema inkurajojnë më shumë njerëz që të angazhohen në zakonin e kursimit. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
