Qytetarët e Shkupit: Me orë të tëra presim autobusë
Në verë pa ajër të kondicionuar, në dimër pa ngrohje...

Në verë pa ajër të kondicionuar, në dimër pa ngrohje, mbingarkesë dhe shtyrje shumë shpesh në Shkup, autobusët prishen dhe madje edhe marrin flakë. Ky është realiteti në metropolin tonë, kaos ky i cili na ka vendosur në grupin e vendeve me transportin publik më të keq në Evropë.
Këtë e dëshmoi edhe raporti i Komisionit Evropian, i cili na renditi ndër vendet më të këqija në fushën e transportit publik.
Qytetarët e Shkupit vazhdojnë të përballen me problemin e transportit publik. Qytetarët e anketuar thonë se në disa relacione presin autobusë me orë të tëra.
“Për shembull 5A nuk kishte me orë. Në mëngjes nga Gjorçe erdha nga ora 08:30 dhe deri në orën 10:00 nuk kishte autobus. Duhej të shkoj te spitali i shtetit.”, - tha një qytetar.
“Me orë të tëra po presim autobus. Shkoj në Gjorçe tek të afërmit, më duhen dy orë për të arritur në Çair.”, - tha një qytetare.
“Edhe sektori privat po bën ndërprerje të punës kohë pas kohe.”, - tha një qytetare tjetër.
Këshilltarët e Qytetit të Shkupit shkëmbejnë akuza për transportin publik
Ndërkohë Këshilli i Qytetit të Shkupit e ka tërhequr nga seanca e sotme propozimin e transportuesve privat për rritjen e çmimit për kilometër të kaluar. Kjo kërkesë do të shqyrtohet në ndonjërën nga seancat tjera, pasi të kenë grumbulluar informacione shtesë.
Këshilltarët njëherit akuzojnë ndërmarrjen e transportit publik se nuk është furnizuar me pjesë për autobusët me defekte, prandaj shumë autobusë rrinë në garazhe.
“Kur keni autobusë që dy vite apo tre vite kanë qëndruar në garazhe, është shumë vështirë t’i adaptoni dhe t’i lëshoni në qarkullim.”, - theksoi këshilltarja në Qytetin e Shkupit, Irena Vitina.
“Është e saktë se nevojiten autobusë të rinj, por kur e dini se në garazhet e NQP-së ka dhjetëra autobusë, të cilët nuk janë rregulluar, nuk janë furnizuar me pjesë. Nuk mund t’u blejmë edhe 200 autobusë, të cilët po ashtu nuk do t’i servisojnë.”, - deklaroi këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Filip Janevski.
“Çdo vendim që do të thotë përmirësim i transportit publik nuk mund të ndodh brenda natës, qoftë për furnizim me autobusë të rinj, të cilët duke e pasur parasysh procesin e komplikuar, do të arrinin në tre vitet e ardhshme.”, - theksoi këshilltari i LSDM-së, Gordan Shutarov.
“Zgjidhje jo që nuk ekzistojnë, por ky këshill, kjo administratë ka barriera të tilla të bashkëpunimit dhe komunikimit, që për asgjë nuk kemi gjetur zgjidhje.”, - u shpreh këshilltari nga Qyteti i Gjelbër, Gorjan Jovanovski.
Derisa këshilltarët e Qytetit të Shkupit shkëmbejnë kritika, qytetarët vazhdojnë me orë të tëra të presin në stacionet e autobusëve, qoftë për të shkuar në punë, në shkollë apo në ndonjë destinacion tjetër të dëshiruar.
Ndërmarrja e transportit publik, transportuesve privat u ka borxh mbi 93 milionë denarë. Kjo ndërmarrje punon me humbje pasi për çdo kilometër harxhon nga dy denarë, ndërsa fiton vetëm nga një denarë. (Fitore Demollli, TVM2)
