Zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, Harrisi dhe Trampi intensifikojnë fushatat
Kanë mbetur pesë ditë nga zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë...

Kanë mbetur pesë ditë nga zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë. Kandidatja demokrate, Kamala Harris dhe rivali i saj republikan, Donald Tramp, kanë intensifikuar fushatat dhe sulmet e ndërsjella.
Gjatë një tubimi në Feniks të Arizonës, Harrisi tha se kundërshtari i saj: “Nuk e respekton lirinë apo mençurinë e grave për të vendosur për gjërat që u interesojnë atyre dhe për të marrë vendime në përputhje me rrethanat. Ne kemi besim tek gratë.”.
Komentet e zotit Tramp vijnë ndërsa ai ka ndeshur vështirësi për të rritur mbështetjen mes votueseve. Kandidati republikan për president flet në përgjithësi për mbrojtjen e grave nga kriminelët, terroristët dhe elementët e huaj, çka përputhet me tablonë e zymtë të një vendi në rënie, siç e cilëson ai Amerikën.
“Unë do t’i mbroj nga emigrantët që vijnë. Unë do t’i mbroj nga vendet e huaja që duan të na godasin me raketa dhe shumë gjëra të tjera.”, u shpreh zoti Tramp gjatë një tubimi në Grin Baj të shtetit Uiskonsin.
Kandidatët e dy kampeve kundërshtare kanë zhvilluar tubime të shumta në shtetet fushëbetejë, me 21 tubime në Pensilvani, 17 në Miçigan dhe 13 në Karolinën e Veriut.
Demokratja Harris dhe republikani Tramp janë në një garë shumë të ngushtë, ndërsa në ditët e fundit po përpiqen t’i bëjnë për vete ata që mund të jenë ende të pavendosur dhe për të mobilizuar pjesëmarrjen në votime të bazës së tyre.
