Mickoski: Kam SMS porosi, BDI-ja kërkoi gjysmën e pushtetit të VLEN-it

01.11.2024 14:01

Atë që koalicioni VLEN e ka aktualisht në Qeveri...

Atë që koalicioni VLEN e ka aktualisht në Qeveri, vetëm gjysma ishte e mjaftueshme për BDI-në, që të bëhet pjesë e Qeverisë, ka deklaruar në seancën kushtuar pyetjeve të deputetëve, kryeministri Hristijan Mickoski.  Madje ai ka thënë se mund t’i publikojë edhe SMS porositë e tilla.                                                              

“Unë mund t’ju tregoj edhe SMS porosi nga anëtarë të lartë të partisë tuaj se si më dërgojnë porosi se ajo që VLEN, koalicioni ynë e ka në Qeveri, gjysma është e mjaftueshme për BDI-në vetëm që të bëhet pjesë e Qeverisë. T’ju tregoj edhe SMS porosi të tilla, nëse dëshironi.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

BDI: Mickoski t’i publikojë sms porositë, nëse i posedon

Por, nga BDI-ja mohojnë pretendimet e kryeministrit dhe e ftojnë atë që t’i publikojë SMS porositë e tilla, nëse i posedon.

“Të gjithë ne në BDI kërkojmë që Mickoski t’i publikojë ato SMS porosi sot, menjëherë, pa asnjë vonesë. Kryeministri i Qeverisë pa legjitimitet etnik, në mungesë të argumenteve dhe projekteve, si dhe nën izolim ndërkombëtar, i zënë ngushtë në Kuvend, shpif që të nxirret nga situatat e sikletshme të përditshme. Të gjitha që u thanë nga kjo Qeveri u demantuan, të gjitha pa asnjë përjashtim. Edhe SMS porositë nga BDI-ja drejtuar Mickoskit janë gënjeshtra. BDI-ja angazhohet për një Maqedoni evropiane, me sundim joselektiv të ligjit, barazi etnike dhe fqinjësi të mirë, prioritete këto që për fat të keq nuk i ndan Qeveria pa legjitimitet etnik, por përkundrazi po na largon nga Evropa dhe nga marrëdhëniet e mira ndëretnike e ndërfqinjësore.”, - thuhet në reagimin e BDI-së.

Azizi: U kuptua pse nuk u implementua Marrëveshja e Ohrit

Ndërkohë deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, në një postim në rrjetet sociale ka theksuar se ajo që u tha kryeministri deputetëve të BDI-së, është dëshmi se pse për kaq vite nuk u implementua Marrëveshja e Ohrit. 

“Ja pra arsyeja pse 22 vite nuk u realizua Marrëveshja e Ohrit, pse nuk u zyrtarizua gjuha shqipe, interesat shqiptare u shitën për të qëndruar në pushtet. Pasi kryeministri përmendi SMS-at, BDI-ja u tërhoq nga pyetjet e deputetëve dhe braktisën sallën.”, shkruan deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi. (Rexhep Qamili, TVM2)