Euroambasadori Rokas: Miratoni ndryshimet kushtetuese

01.11.2024 15:09

Ndryshimet kushtetuese dhe reformat që lidhen me Bashkimin Evropian...

Ndryshimet kushtetuese dhe reformat që lidhen me Bashkimin Evropian janë kryefjalë edhe e euroambasadorit, Mihalis Rokas, gjatë analizës së raportit të progresit për Maqedoninë e Veriut, bashkë me kryenegociatorin me BE-në, Orhan Murtezani.

Para gazetarëve, shefi i delegacionit të Unionit në Shkup edhe njëherë potencoi se ky kusht hap derën e fillimit të negociatave për grup-kapitujt e parë, ndërkaq nuk u përgjigj konkretisht për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me efekt prapaveprues, por vetëm citoi kryetaren e KE-së se BE-ja ka për qëllim të hapë klasterin e parë sa më herët dhe se jemi shumë afër, por që pengohet nga  mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese.

“Maqedonia e Veriut duhet t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, që t’i inkorporojë qytetarët që jetojnë brenda kufijve, e që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët, gjë për të cilën është pajtuar se do ta realizojë. Paralelisht, Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me implementimin e reformave që lidhen me BE-në, veçanërisht në klasterin “Fundamentalet”, më saktësisht: gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të përforcohet besimi në sistemin gjyqësor, të zgjidhet çështja me korrupsionin përmes  ndjekjes nga gjykatat dhe prokurorisë.”, - deklaroi euroambasadori, Mihalis Rokas.   

Murtezani: Jemi të përgatitur për aderim në BE

Ministri për Çështje Evropiane është i kënaqur me përmbajtjen e tërësishme të raportit të progresit. Tani, sipas tij, duhet të inkorporohen udhëzimet e BE-së në strategjitë tona politike dhe ekonomike. Sfida është e pranuar me përgjegjësi dhe  vendosmëri,  shton Murtezani. 

“Vlerësimi i përgjithshëm i gatishmërisë së vendit për vitin 2024  është nivel i mirë i përgatitjes, gjegjësisht, 3.22 krahasuar me 3.13 me vitin 2023 dhe ai është solid dhe konstant  krahasuar me shumë vite më parë. Në lidhje me vendet tjera kandidate të rajonit, do të theksoja se niveli ynë i gatishmërisë është më i lartë, që është edhe një tregues se Maqedonia e Veriut jo vetëm që është e përgatitur për negociata të aderimit, por analiza krahasuese tregon që kemi progres të akumuluar.”, - theksoi ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani.

Suksesi i dosjes evropiane varet nga bashkëpunimi mes shumë institucioneve, Qeverisë, Kuvendit dhe shoqërisë civile dhe komunikimi i ndërsjellë shpie në ëndrrën evropiane, përfundoi Murtezani. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)