Përdorimi i gjuhës turke, Murati: Kërkojmë zbatimin me ligj dhe konventë

01.11.2024 15:30

Përderisa zbatimi i gjuhës shqipe pret verdiktin e kushtetueses...

Përderisa zbatimi i gjuhës shqipe pret verdiktin e kushtetueses, edhe komuniteti turk i cili përbën 4% të popullsisë në vend ngre zërin për zbatim joadekuat të gjuhës turke, e cila madje është fare e pazbatuar në disa komuna ku turqit janë shumicë. Deputeti i Lëvizjes së Turqve, Sali Murati, nëpërmjet analizës së tij në 12 komuna, në 6 prej të cilave turqit janë mbi 20%, thotë se gjuha turke mungon në seancat plenare të këshillave komunal, dokumentet zyrtare, mbishkrimet publike, si dhe në komunikim me qytetarët.

Murati kërkon ratifikimin urgjent të konventës evropiane për gjuhët e bashkësive pakicë në nivel lokal dhe miratimin e ligjit të ri për gjuhët, të cilin është duke e përgatitur.

“Për tejkalimin e gjendjes nevojiten masa urgjente ligjore dhe institucionale. Nevojitet përgatitja e ligjit të ri. Ky ligj nuk jep kurrfarë sqarimi se si të shfrytëzohen gjuhët e bashkësive më të vogla. Maqedonia është shembull i shteteve ballkanike dhe në Evropë për këtë punë, por vetëm aspektin normativ, zbatimi praktik është katastrofal. Maqedonia s’do të humb asgjë, nëse gjuha turke dhe gjuhët tjera të pakicave të jenë zyrtare në nivelin që meritojnë.”, - deklaroi deputeti i Lëvizjes së turqve, Sali Murati.

Deputeti Murati me situatën i ka njoftuar 12 institucione, nisur nga presidenti, kryeparlamentari, kryeministri, avokati i popullit, organet kompetente për zbatimin e gjuhëve, OSBE-ja, ambasada turke dhe zyra për të drejtat e pakicave në Strasburg. Gjatë javës edhe kryetari i BDI-së alarmoi liderët rajonal, ndërkombëtarë dhe kryeministrin Mickoski për shfuqizimin eventual të ligjit, që rregullon përdorimin e gjuhës shqipe nga Gjykata Kushtetuese.

Nga ky organ gjyqësor ende pa datë konkrete për seancën në të cilën do të vendoset fati i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili u miratua shtatë vjet më parë, ndërkohë që avancoi gjuhën shqipe me përdorimin e saj zyrtar.

Lënda është formuar në vitin 2019 prej 13 iniciativave të dorëzuara nga qytetarë, partitë politike - VMRO – DPMNE, “E Majta”, shoqata dhe profesorë universitarë. Iniciativat kontestojnë ligjin në tërësi dhe jo nene të caktuara. (Meral Ismaili, TVM2)