Durmishi: Kufizimi i marzhës dha rezultate

01.11.2024 15:46

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi...

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, shprehet i kënaqur me rezultatet dhe efektin e dhënë të masës së Qeverisë për marzhën e kufizuar të fitimit bruto për shportën e vjeshtës.

Durmishi paralajmëroi se do të reagojnë ashpër, nëse çmimet e produkteve sërish do të rriten, sepse ligji për praktikat e padrejta tregtare mbetet në fuqi. Shporta e vjeshtës mundësoi 1.360 denarë kursim në muaj për çdo familje, njoftoi Durmishi.

“Nga fillimi i muajit të ardhshëm, në nëntor presim të ketë një ulje shtesë e çmimeve, meqë siç e dini, një muaj më parë filloi zbatimi i Ligjit për praktika të padrejta tregtare. Ne presim që me rezervat e reja të produkteve në market të ketë çmime të reja më të ulëta. Nga sot masa e marzhave të ngrira nuk është në fuqi. Pres që prej sot e tutje të mos ketë rritje enorme të çmimeve nga tregtarët. Nëse kjo ndodhë dhe rriten çmimet pa asnjë bazë, atëherë Ministria e Ekonomisë dhe punës do të ndërmarrë të gjitha masat që i ka në dispozicion dhe vendime më rigoroze për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Kufizimi i marzhës, qytetarët pjesërisht të kënaqur

Edhe pse ministri vlerëson se masa ka dhënë rezultatin e nevojshëm, qytetarët janë pjesërisht të kënaqur. Për disa pak e për disa aspak nuk ka dhënë efektin e dëshiruar.

“Nuk ishte edhe shumë e suksesshme dhe efektive, por patjetër duhet të shpresojmë se në të ardhmen do të jetë më mirë. Mundej diçka të kursehet, nëse menaxhon mirë, planifikon dhe mundohesh.”, - tha një qytetar.

“Nuk jam aspak e kënaqur. Me pension vështirë mund t’ia dalësh.”, - tha një qytetar tjetër.

“Çmimi i bukës pak është ulur, tjetër asgjë.”, - u shpreh një qytetar.

LSDM: Masa dështoi, Qeveria pa zgjidhje për çmimet

Nga LSDM-ja theksojnë se masa e Qeverisë për uljen e çmimeve, qytetarët nuk e kanë ndjerë fare. Me gjasë ministri Durmishi nuk ka qenë në market për të parë çmimet, akuzojnë nga LSDM-ja. Çdo ditë qytetarët luftojnë për një jetë të denjë.

“Pas një muaji nga zbatimi i kësaj mase, qytetarët kanë ndjerë vetëm zhgënjim. Shporta sindikale u zvogëlua për 57 denarë, shumë simbolike – ja sa u “kursye” për një muaj. Pas kësaj, është legjitime pyetja, nëse kjo është një politikë serioze ekonomike apo thjesht çorientim i opinionit. Çmimet në tregje për shumicën e produkteve kanë mbetur të njëjta. Disa produkte janë ulur në sasi të parëndësishme, por qytetarët nuk e kanë ndjerë.”, - theksoi Bogdanka Kuzevska nga LSDM.

Me përfundimin e masës, shporta konsumatore për stinën e vjeshtës, ministri i Ekonomisë paralajmëroi edhe shporta konsumatore për festën e Krishtlindjeve, pashkëve dhe muajin e Ramazanit. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)