Kuvend, miratohen ndryshimet për rritjen e asistencës sociale
Deputetët në kuvend miratuan ndryshimet e Ligjit për Asistencë Sociale, me të cilat është paraparë që këtë vit asistenca sociale të rritet për 10%...

Ndryshimet duhet të hyjnë në fuqi nga korriku i këtij viti. Ndryshimet ligjore u dedikohen 35.000 shfrytëzuesve të asistencës sociale në para dhe rreth 5.800 shfrytëzuesve të ndihmës së përhershme në para.
Në lexim të dytë, kuvendi miratoi edhe ndryshimet e Ligjit për Zonat e Zhvilluara Teknologjike-industriale, ndryshimet e Ligjit për Siguri të Ushqimit, Ligjit për Shfuqizimin e Ligjit për Bashkësitë e Ujit, si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tokë Bujqësore.
Deputetët gjithashtu votuan që kuvendi në procedurë të shkurtuar të debatojë për ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sport dhe për Materiale Arkivore, si dhe ligjet për ndryshimin e Ligjit për Privatizim dhe për Qiranë e Tokës Ndërtimore në Pronë Shtetërore, si dhe Ligjin për Marrëdhënie Pune.
Kuvendi, gjithashtu me shumicë votash në lexim të parë kaloi edhe Propozim-ligjin për Shndërrim të Kërkesave të Republikës së Maqedonisë në Bazë të Tatimit të Vlerës së Shtuar dhe Detyrimeve Pagesore ndaj Kreditorëve të Huaj dhe Ndërmarrje të Huaja Hekurudhore në Dispozitë të Përhershme në Hekurudhat e Maqedonisë, ndryshimet e Ligjit për Furnizimet Publike, Propozim-ligjin për Shfrytëzim dhe Disponim me Sende në Pronësi Shtetërore dhe ndryshimet e Ligjit për Veprim me Objekte të Ndërtuara pa Leje. (Naim Ramadani, TVM2)
