Strategjia kombëtare për siguri kibernetike, Andonovski: S’kemi të dhëna për sulmet kibernetike

01.11.2024 16:01

Shteti nuk ka një analizë ose të dhëna për sulmet kibernetike...

Shteti nuk ka një analizë ose të dhëna për sulmet kibernetike, përqindjen e rrezikut dhe mundësinë e nënshtrimit të institucioneve ndaj sulmeve, pasi nuk ka një mekanizëm raportues për raste të tilla.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, gjatë prezantimit të  Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, tha se pret që miratimi i strategjisë të tregojë detyrat e sakta, që secili institucion të mund të raportojë kur i ndodh ndonjë incident dhe i njëjti të monitorohet në kohë reale.

“Ne duhet të kemi një pikë të vetme të raportimit të incidenteve dhe po zhvillojmë një kategorizim kombëtar të incidenteve kibernetike, në mënyrë që të mund të përgjigjemi më mirë. Këto ekipe të reagimit të shpejtë dhe analizës do të jenë ekipet kryesore që do të dinë se si të veprojnë në rast të një incidenti kibernetik ose kërcënimi kibernetik për trajtimin e incidenteve në shkallë të gjerë. Strategjia është zhvillimi i një plani të koordinuar, që do të përfshijë sa më shumë institucione me përgjigje ndaj krizave dhe procedura të qarta. Në këtë drejtim, ne do të kryejmë rregullisht ushtrime dhe simulime për të testuar gatishmërinë tonë. Deri në fund të vitit, ne do të organizojmë një test të madh të sigurisë kibernetike.”, - deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.

Pesë shtyllat kryesore të Strategjisë janë ndërtimi i kapaciteteve të forta kombëtare, siguria dhe qëndrueshmëria e subjekteve thelbësore, ndërtimi i një shoqërie rezistente ndaj kërcënimeve kibernetike, minimizimi i ndikimit të incidenteve, si dhe bashkëpunimi kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ndërsa në pjesën e  mbrojtjes së të rinjve dhe fëmijëve përmes projektit “MK Sejf Net”, Qendrës për internet më të sigurt për fëmijët, do të zhvillojnë mjete bashkëkohore për kontroll prindëror, filtra për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, do të ketë qendrën kombëtare, e cila çdo ditë 24 orë do ta ndjekë sigurinë e internetit për fëmijët.

Sipas statistikave, në çdo 11 sekonda ndonjë organizatë në botë, është e rrezikuar nga sulmet kibernetike dhe numri i sulmeve kibernetike çdo vit shënon rritje 10 - 15%, prandaj Andonovski vlerëson se është e patjetërsueshme që të ekzistojë një pikë e përbashkët për denoncimin e incidenteve. (Sanije Duraku, TVM2)