AUV, konfirmohet gripi i shpendëve te një patë e egër
Analizat laboratorike konfirmuan gripin e shpendëve....

Analizat laboratorike konfirmuan gripin e shpendëve te një patë e egër e ngordhur në kompleksin “Shën Jovan” në Zllokuqan, njofton Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Virusi nuk u gjet në dy mostrat e dy mjellmave të testuara, ndërsa do të bëhen edhe analiza shtesë.
AUV-ja paralajmëron se virusi transmetohet kryesisht nga zogjtë shtegtarë, ndërsa njerëzit mund të infektohen vetëm nëse kanë kontakt të ngushtë me zogj të infektuar ose nëse qëndrojnë në mjedis shumë të kontaminuar.
“Sëmundja përhapet përmes kontaktit direkt me shpendë të infektuar apo sekretet e tyre, veçanërisht nga ushqimi i kontaminuar, ujit dhe pajisjeve. Apelojmë tek qytetarët nëse gjejnë ndonjë shpend të ngordhur nga llojet pjellore, siç janë patat, të informojnë Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari ose shoqatat veterinare.”, - deklaroi drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Millanov.
Nga agjencia e veterinarisë apelojnë te qytetarët që t’i informojnë nëse vijnë në kontakt me shpend të ngordhur. Para disa ditësh në kopshtin zoologjik të Shkupit, ekipet e agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë vranë 36 zogj për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit të shpendëve.
Zogjtë shtegtarë zakonisht përhapin virusin. Mjekët thonë se njerëzit mund të sëmuren, por vetëm nëse kanë kontakt të drejtpërdrejtë me një shpend të infektuar, kontakt me sekrecione ose gjak. Nuk ekziston rreziku i infektimit nga mishi ose vezët nëse ato përpunohen mirë termikisht.
Transmetimi i virusit nga personi në person është shumë i rrallë. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
