Stacioni hekurudhor në Novi Sad, 8 të vdekur nga shembja e strehës

01.11.2024 18:28

Tetë persona kanë vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar...

Tetë persona kanë vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar, pasi është shembur streha e stacionit hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, ka bërë të ditur ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq.

Daçiqi tha se afër 80 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë në vendin e ngjarjes, pasi dy persona kishin mbetur nën rrënoja.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, deklaroi se kjo është një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës të Novi Sadit, ndërsa paralajmëroi se do të kërkohet përgjegjësi nga ata që janë përkujdesur për atë ndërtesë.

Ky stacion hekurudhor ishte ndërtuar më 1964, ndërsa në vitin 2024, pas rikonstruktimit për tre vjet, ky stacion u hap sërish.

Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë bëri të ditur se streha që u shemb “nuk ka qenë subjekt i rindërtimit”.