Kriza politike, Këshilli i Evropës pret zgjidhje pozitive
Këshilli i Evropës pret zgjidhje pozitive të situatës politike në vend, me shpresë që kjo krizë të mos atakojë marrëdhëniet ndëretnike në vend...

Delegacioni i Komisionit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës shprehu shqetësimin për situatën aktuale në takimin me kryeparlamentarin, Trajko Veljanovski.
“Anëtarët e delegacionit shprehën shpresë se urat mes bashkësive të ndryshme etnike janë stabile dhe shpresojnë në zgjidhje pozitive të situatës”- thuhet në kumtesën e lëshuar nga parlamenti.
Në takim është biseduar për situatën politike në përgjithësi, posaçërisht për punën e kuvendit dhe bojkotin e opozitës. Palët kanë këmbyer mendime rreth rregullativës ligjore në Maqedoni, që ka të bëjë me pjesëmarrjen e deputetëve në punën e kuvendit dhe çështjen e heqjes së mandatit të deputetit. Veljanovski ka shprehur mirënjohje për qëndrimin parimor që Asambleja Parlamentare ka dënuar bojkotin e opozitës si veprim politik.
“Kryetari Veljanovski theksoi se si jurist, gjithmonë angazhohet për respektimin e plotë të rregullativës juridike në shtet, por si kryetar i Parlamentit maqedonas lë hapësirë për zhvillimin e dialogut politik”- thuhet në kumtesë.
Delegacioni i Komisionit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i përbërë nga Stefan Shenah, Robert Valter dhe Andreas Gros, është takuar edhe me kryeministrin Nikolla Gruevski, me sekretarin e përgjithshëm të BDI-së, Abdylaqim Ademin, kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçin dhe shefin e Delegacionit Parlamentar të Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandar Nikollovskin, Komisionin për Çështje Kushtetuese dhe Komisionin për Çështje të Mandateve. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
